Panairi i Librit do të çelë dyert në Pallatin e Kongreseve më 12- 16 nëntor. Ky është panairi i 17 që zhvillohet në Tiranë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Kryefjalë e këtij panairi do të jetë figura e Jeronim De Radës në kuadër të 200-vjetorit të lindjes. Rreth 100 shtëpi botuese janë pjesëmarrëse, por më pak tituj të rinj ofrohen në panair këtë vit. Por aktiviteti më i rëndësishëm i librit në vend nuk ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, dikasteri i cili e ka braktisur këtë panair të librit, që prej 17 vitesh zhvillohet në Tiranë. Shoqata e Botuesve Shqiptarë, organizatore e panairit, është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Kulturës muaj më parë se projekti i organizimit të Panairit të Librit Tirana 2014 nuk është përzgjedhur fitues. Për kryetarin e SHBSH Petrit Ymeri justifikimi që MK gjeti për mosmbështetjen e panairit ishte qesharak. “Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë mbështetje, këtë e ka bërë të ditur që në mars. Është një justifikim qesharak nga ministria për panairin, dhe asnjë qindarkë nuk dha mbështetje. Ne e dorëzuam projektin sipas rregullores, të kopsitur si duhet”, u shpreh Ymeri duke shtuar se dhe nga Bashkia e Tiranës nuk kanë mbështetje financiare. Deri më tani Ministria e Kulturës është akuzuar dhe nga drejtues të tjerë shoqatash që zhvillojnë aktivitete të traditës për braktisje duke mos i mbështetur financiarisht, gjë e cila ka sjellë shumë pikëpyetje mbi mënyrën se si dikasteri ministror ka shpërndarë fondet dhe ka financuar aktivitetet. Politikat kulturore që po ndiqen nga MK janë diskutuar shumë gjatë këtyre kohëve, për të mbërritur në muajt e fundit të vitit, ku Panairi i Librit, ngjarje e rëndësishme kulturor qëndron jashtë politikave të dikasterit ministror. Panairi i këtij viti ka mbështetje të vetë botueseve dhe nga “Digitalb”. I pyetur se sa ka ndikuar Festivali i Librit dhe i Artit muaj më parë për këtë panair, Ymeri u përgjigj: “Asnjë ndikim nuk ka pasur, kjo dhe për shkak të nivelit të tij”. Në lidhje me botimet e reja që janë më pak këtë vit, sipas kreut të Shoqatës së Botuesve, shkak është kriza e përgjithshme ekonomike, por edhe një zgjedhje e vetë organizatorëve për t’u treguar më përzgjedhës në tituj. Panairi ngjarje e madhe kulturore Sipas kreut të SHBSH, Petrit Ymeri, organizimi i panairit është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. “Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare” pohoi Ymeri. Ky panair do të shndërrohet gjithashtu dhe në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën. Në tre vitet e fundit, Panairit iu shtuan edhe politikanë e gazetarë, me libra që u shoqëruan me shumë reklamë. Madje ata i morën disi vëmendjen dhe letërsisë artistike. E duket se edhe këtë panair, figurat mediatike nuk do të mungojnë. “Disa botues u shqetësuan, por për mua është i gëzueshëm çdo libër në panair. Por dhe këtë vit do të kemi libra që mund të bëjnë bum në panair”, tha Ymeri. Sipas Ymerit, gjatë ditëve të panairit do të ketë promovime librash dhe autorë të ftuar, ku nuk mungojnë dhe emra që janë vlerësuar me Çmime Europiane në Letërsi, si Ben Blushi, etj. Panairi i 17 i Librit do t’i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada, duke filluar që nga hyrja e Pallatit të Kongreseve, ku do të vendoset një portret i De Radës, dhe deri te aktivitetet e shumta që do zhvillohen gjatë 5 ditëve të Panairit, dhe çmimi special i këtij viti do të jetë çmimi për De Radën. Ndërkaq që juria e panairit prej kohësh ka filluar punën për të shpallur dhe autorin e vitit. Sipas kryetarit të SHBSH, rreth 100 shtëpi botuese pjesëmarrëse do të ndjekin një politikë për ulje çmimesh të cilat do të variojnë nga 5-30% gjatë ditëve të panairit.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















