Opozita vazhdon “luftën” e saj me mazhorancën për kundërshtimin e reformave të ndërmarra nga qeveria. Në seancën e parë mazhoranca rivotoi në Parlament projektligjet e kthyera nga Presidenti Nishani, ndërsa opozita vazhdoi bojkotin e saj. Kreu i PD-së, Lulzim Basha njoftoi vazhdimin e bojkotit të seancave parlamentare dhe të komisioneve të ligjeve ndërsa paralajmëroi krijimin e 8 grup-seksioneve që do të ndjekin paralelisht çdo projektligj të paraqitur nga mazhoranca, duke bërë oponencë nga jashtë institucioneve ligjvënëse. Deputetët e PD-së përgjigjen në lidhje me krijimin e këtyre grupeve dhe për faktin se sa efiçentë do të jenë këto grupe. Deputetët e PD-së për qarkun e Dibrës, Bedri Hoxha dhe Roland Keta dhe deputetja e PD-së për qarkun e Lezhës, Albina Deda shprehen nëse janë pro apo kundër këtij bojkoti nga ana e opozitës.
Si do të funksionojnë grupet e punës të ngritura nga opozita?
Albina Deda
Opozita gjatë bojkotit do të punojë akoma më shumë nëpërmjet grupeve të punës të ngritura nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Grupet e punës do të jenë anëtarët e Komisioneve përkatëse në tërësinë e grupit parlamentar ku do të punohet në mënyrë sistematike çdo ditë për t’ju përgjigjur kësaj mazhorance, e cila po drejton që ditën e parë të ardhjes në pushtet nëpërmjet arbitraritetit antiligjit dhe antikushtetutës. Grupet e punës do të ndjekin çështjet e përditshme, ligjet, vendimet, që kjo shumicë propozon apo do të kalojë në kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu të gjithë deputetët do të pasqyrojnë çdo ditë problemet që lindin në zonat dhe qarqet ku janë votuar.
Bedri Hoxha
Opozita nuk ka ngritur grupe pune. Kjo është kuptuar gabim! Ne kemi thënë se, edhe pse nuk do të marrim pjesë në punimet e Kuvendit (komisione dhe seance plenare), për shkaqe tashmë të njohura, do të shqyrtojmë çdo projektligj të paraqitur nga mazhoranca dhe do të bëjmë oponencën tonë duke qartësuar qytetarët dhe votuesit tanë duke paraqitur argumente për opsionet tona si opozitë.
Roland Keta
Unë si deputet do të kisha dëshirë që opozita të kthehej në Parlament, për atë jemi votuar, ai është institucioni kushtetues, por opozita është e detyruar të ketë marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin për aq kohë që nuk ka një reagim nga mazhoranca për rolin e opozitës, për incidentet e fyerjet dhe dhunës të deputetëve të opozitës, të respektimit të rregullores së parlamentit dhe të Kushtetutës. Të ndodhur para këtyre fakteve ne do të vazhdojmë opozitën tonë, ditë për ditë duke krijuar grupe pune ku do të jenë anëtarët e komisioneve përkatëse, do të ndjekim çdo ditë çështjet e përditshme, ligjet, vendimet që kjo mazhorancë do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita jonë do të jetë publike, e mbështetur në fakte e argumente, për të mbrojtur demokracinë. Grupet e punës do të zgjasin derisa jeta Parlamentare do t’i kthehet normalitetit, respektimit të fjalës së lirë të opozitës dhe zbatimit të rregullores së Parlamentit.
Sa efiçente do të jenë këto grupe që do të punojnë jashtë institucioneve ligjvënëse?
Albina Deda
Këto grupe do të vazhdojnë për aq kohë sa jeta parlamentare në Shqipëri është jashtë normalitetit. Derisa do të kthehet jo në një fasadë dhe mazhoranca do të pranojë rregullat e kushtetutës , rregulloren e parlamentit , vendimet e Gjykatës Kushtetuese, debatin dhe replikat parlamentare pa dhunuar fjalën e lirë të opozitës, si dhe kuvendi të mos jetë një dekor i shëmtuar i një regjimi oligarkik, duke ruajtur gjithçka të mirë nga historiku i konceptit të parlamentarizmit.
Bedri Hoxha
Nuk mund të them se kjo punë do të jetë efiçente ose e barazvlefshme sa prania e opozitës për debat në kuvend. Por në kushtet e marrëdhënieve të kushtëzuara të opozitës është zgjedhur kjo formë komunikimi me qytetarët.
Roland Keta
Se sa eficente do të jetë puna e këtyre grupeve atë do e tregojë koha. Mendoj se roli i këtyre grupeve do të jetë një oponencë e projektligjeve të kësaj mazhorance. Këto grupe do të japin mendimet dhe vizionin e tyre për projektligjet dhe vendimet e Qeverisë, do të jetë oponencë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj. Gjithsesi për të qenë i sinqertë dhe transparent Komisionet Parlamentare dhe Parlamenti duhet t’i kthehen normalitetit ku Parlamenti të jetë Institucion Kushtetues dhe jo dekor i një regjimi diktatorial.















