Që me njohjen e projektit të shumëdebatuar të stadiumit të ri, Partia Demokratike reagoi duke paralajmëruar se do ta zhbëjë atë me ardhjen në pushtet. Për Selinë Blu kjo është një aferë e pastër. Sot, kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka, i është drejtuar me një letër kryeministrit, të cilit i kërkon dokumentacionin e plotë të projektit dhe bërjen e transparencës. E njëjta kërkesë i është drejtuar edhe Presidentit të FSHF, Armando Duka.
Në letrën e tij, Paloka kërkon informacion dhe kopje të dokumentacionit të plotë zyrtar duke përfshirë;
1-Projektin e miratuar nga KKT
2-Kontratën e partneritetit publik-privat
3-Kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime ku pasqyrohet qendrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit
4-Procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fituese
5-Dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti.
Sipas Partisë Demokratike, ky projekt ka prioritet klientëlën, një qendër tregtare, hapësirat e biznesit dhe jo sportin. PD thotë se plani i Edi Ramës zvogëlon hapësirat për sportdashësit dhe zgjeron hapësirat fitimprurëse për klientët. /Lapsi.al