Specialisti amerikan i kirurgjisë, Willard L. Noyes, duke u ndalur te akuzat dhe pretendimet për transplantim të organeve në Shqipëri, ka deklaruar për KosovaPress, se në bazë të përvojës së tij, është e pabesueshme që në atë realitet dhe në ato kushte mund të ndodhte transplantimi i organeve.
Lidhur me pretendimin për trafikim organesh në Shqipëri, ai thotë se sot është hera e parë që ka dëgjuar një fjalë rreth kësaj çështjeje.
“Më duket komplet e pabesueshme. Në atë kohë, në atë realitet dhe me ato kushte të ndodhë diçka e tillë? Unë kam marrë pjesë në vjeljen e organeve nga njerëz që kishin nënshkruar marrëveshje për të dhuruar organet e tyre, pasi të vdisnin, gjatë praktikës sime si kirurg në Pensilvania. Përgatitja e organeve, ftohja dhe ngrirja, koha e transportit nga aty ku kryhet operacioni deri tek aty ku duhet të shkojë… është e pabesueshme të mund të ndodhë në atë vend për të cilin po flisni ju, në Shqipëri, e nga ushtarët e UÇK-së. Së pari, unë nuk njoh asnjë mjek tjetër përveçse një ose dy që ishin të përfshirë në luftën e shqiptarëve të Kosovës. Edhe nëse kishte mjek aty gjatë luftës, si mund të kishte kohë dhe fuqi që ta bënte këtë gjë që po më thoni ju. Është e pabesueshme, nuk e besoj dot! Pra, jam plotësisht i mendimit që ajo gjë nuk ndodhi”, ka thënë ai.
Duke u bazuar në përvojën e tij dhe atë që ka parë, ai thotë se ka nevojë për mjeshtëri në këtë punë gjë që nuk mund të ndodhte atëherë.
















