Shkruan: Mero Baze
Ka një presion politik, që po kërkon të devijojë axhendën e kryeministrit të Shqipërisë, i cili është i ftuar në Beograd pas një jave. Më i rëndësishmi prej tyre është kryetari formal i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, i cili nuk është ndjerë qysh ditën e incidentit. I kompleksuar ndoshta nga ideja se Familja që e ka sjellë në pushtet, është e ndarë mes shqiptarëve dhe serbëve, dhe ai vet është në dilemë për këtë situatë. Frika e tij më e madhe është se mos nga kjo situatë forcohet profili perëndimor i kryeminstrit dhe i vështirësohet beteja kundër tij. Shqipërinë as që e llogarit fare.
Por, sot foli dhe kërkoi që Edi Rama të mos shkojë në Beograd, pasi do ishte fyerje për dinjitetin e Shqipërisë. E thotë këtë dikush që ka hetuar dhe ka denoncuar në gjykata ndërkombëtare të ashtuquajturat krime të shqiptarëve kundër serbëve, një politikan i ri që presupozohet që vuan më shumë nga kompleksi i të qenit pro serb, se sa nga deliri i të qenit nacionalist.
Është interesant se një ditë më parë këtë gjë e kërkoi me më shumë takt dhe një politikan i rëndësishëm socialist, Ben Blushi, një kritik konstant i kryeministrit, por që ka qenë gjithmonë partizan i linjave të moderuara në raporte me Serbinë. Edhe ky u bë menjëherë nacionalist.
Pasaj ka dhe plot zëra, disa prej tyre të sinqertë e naivë, që e mendojnë këtë si një betejë nevrikësh, ku fiton ai që nuk përfill tjetrin.
Shqipëria me Serbinë nuk kanë ndonjë betejë me njëra- tjetrën për të fituar. Betejën historike për Kosovën e kemi fituar falë mbështetjes së Perëndimit dhe nuk kemi më asgjë për të ndarë me njëri- tjetrin. Beteja jonë me Serbinë është beteja perëndimore. Dhe bëhet për të ruajtur apo për të humbur aleancën me perëndimin në këtë histori.
Ajo që ndodhi në stadiumin e Beogradit, dëshmoi se shoqëria serbe nuk është çliruar nga antishqiptarizmi dhe racizmi ndaj shqiptarëve. Kaq është e gjitha. Është po ashtu fat që nuk pati gjakderdhje. Të tjerat nuk na interesojnë. Edhe pse miliona shqiptarë janë të përfshirë në emocione se mos na heqin tre pikët që na takojnë, edhe pse të tjerë duan të shikojnë Serbinë jashtë garës, këto nuk janë çështje e axhendës politike të Edi Ramës. Për aq sa duhet të kënaqemi si shqiptarë, qoftë dhe në një betejë me serbët, biem dakord se jemi të gjithë të superkënaqur nga ajo që pamë dhe si qëndruam në Beograd. Atë ditë gjithë shqiptarët u ndjenë më shqiptarë se janë dhe kjo histori mbaron këtu. Detyra e kryeministrit të Shqipërisë është të dëshmojë axhendën e tij evropiane dhe të përballet me të keqen qoftë dhe në strofkullën e saj. Ai është një kryeministër i ftuar në Beograd dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i hapë rrugën një epërsie të re serbe pro perëndimit. Beteja jonë me Serbinë, është një betejë për të konkurruar me serbët pro perëndimorë dhe jo me deliret e mbetura të Milosheviçit nëpër skuta zyrash në Serbi. Ne nuk mund t’u japim shanse serbëve t’i thonë Evropës se shqiptarët nuk duan të bisedojnë me ne. Edi Rama nuk mund të bëjë asnjë hap mbrapa nga axhenda evropiane e qeverisë së tij. Ai nuk mund të sillet as si hipokrit dhe as si frikacak në këtë histori. Ai thjesht duhet të shkojë në Beograd dhe të mbrojë ato qëndrime që mbron dhe në Tiranë, Bruksel apo Uashington për çdo çështje mes dy vendeve.
Ne nuk na intereson ç’mendon dhe çfarë thotë Serbia. Mua personalisht nuk më emocion më as as ndonjë fitore lobistësh serbë në UEFA për ndeshjen. Unë ndeshjen e shikoj të bëhem krenar si shqiptar dhe me aq sa pashë, më mjafton. Çështja e pikëve që jepen në tavolinë, është çështje statistikash, jo vlerash. Vlerat ne i treguam në fushë në mes të Beogradit. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë dhe në në zyrat e qeverisë serbe në Beograd.
Shumica e atyre që këshillojnë apo i kërkojnë Edi Ramës të anulojë vizitën, në të vërtetë i druhen një kryeministri evropian dhe një profili modern të tij. Dhe mirë bëjnë që i druhen. Basha nga ana e vet, si kryetar formal i opozitës, është një njeri në dilema, njësoj si Vuçiç. Ai duhet të ndajë bashkë me Familjen që i ka dorëzuar çelësat e partisë, nëse duhet të jenë me serbët, apo me shqiptarët. Vetë Familja është ndarë formalisht mes gjyshit dhe mbesës. Vuçiçi i ka dhënë kohë vetes deri të dielë të vendosë nëse do ta presë apo jo Edi Ramën. Basha bën mirë t’i japë po ashtu kohë vetes dhe ta ndajë me kë është në këtë histori. Nëse është me Shqipërinë, asaj i bëhet mirë që kryeministri i saj të shkojë në Beograd dhe të fitojë betejën me atavizmat e Milosheviçit. Nëse është me serbët, natyrisht kërkon ta shtyjë axhendën e kryeministrit tonë drejt nacionalizmit primitiv dhe folklorik ballkanik që serbët të na tregojnë me gisht. Unë mendoj se Edi Rama ka shans historik të shkojë në Beograd dhe të detyrojë kryeministrin serb të ngrejë flamurin shqiptar në zyrën e tij. Kjo na bën më dinjitoz dhe më seriozë, se emocioni që na dha droni flutures mbi stadiumin e Beogradit. Kemi rastin ta ngrejme flamurin tonë në zyrat serbe me duart e tyre. Serbët kanë nisur të turfullojnë dhe tërbohen nga kjo gjë. Luli nuk di çka!















