Prokuroria e Tiranës ka bërë më dije se një person i tretë mund të ketë ndihmuar dy personat me motor, për ekzekutimin e bankierit Artan Santo. Ky person sipas prokurorisë dhe policisë së Tiranës ka pasur rolin e informatorit të dy personave që kanë kryer ekzekutimin.
Sipas prokurorisë, ky person dyshohet të ketë qenë informatori i dy autorëve të vrasjes mbi veprimtarinë e Santos, duke ju lënë atyre rolin e ekzekutimit të bankierit. Duke verifikuar me imtësi të gjitha pamjet filmike, konstatohet se motori me dy vrasësit ka qenë në lëvizje që në mëngjes rreth orës 8:00 dhe është filmuar nga kamerat e mbi 8 kryqëzimeve kryesore të Tiranës.
Sipas prokurorëve, motori shfaqet në afërsi të Ambasadës Amerikane, mbi urën e Lanës në rrugën e Elbasanit, kryqëzimin e ETC, si dhe në një kryqëzim tjetër mbi Drejtorinë e Higjenës, ku është filmuar nga kamerat e një lokali.















