Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, lidhur me ftesën e Hashim Thaçit për të marrë pjesë në inaugurimin e tij si President i Kosovës, ka thënë se nuk mund të shkojë në inaugurimin e kryetarit të shtetit që nuk ekziston.
“Po e shoh se ajo [ftesa] ka arritur në medie, por unë s’e kam vendin atje për shkak se unë jam kryetar i Serbisë”, ka thënë Nikolliq, njofton “Beta” e Beogradit, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se për të shteti i pavarur i Kosovës nuk ekziston dhe se inaugurimi i Thaçit bëhet në kuadër të “institucioneve të përkohshme të Prishtinës dhe sipas Kushtetutës së Kosovës”.
“Madje edhe sipas rezolutës 1244 thuhet se atje mund të bëhet çdo gjë, por jo i shtetit të pavarur”, ka thënë ai.
Hashim Thaçi do të inaugurohet President i Kosovës më 7 prill. Në inaugurim pritet të marrin pjesë shumë personalitete nga vendi, rajoni e bota.
















