Vendimi i Gjykatës së Hagës për lirimin e Vojisllav Sheshelit nga të gjitha akuzat është pritur me habi në Bosnjë, Kroaci e Kosovë, por edhe në qarqet e njohë qarqet e njohësve të paanshëm të zhvillimeve të viteve ’90 në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Kryeministri i Kroacisë, Tihomir Oreshkoviq, e ka cilësuar si “të turpshëm” vendimin e Gjykatës së Hagës.
“Nuk mund të kuptoj se si dikush që është dëshmuar se ka marrë pjesë në agresionin në Bosnje, të lirohet”, ka thënë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
Ndaj vendimit të Hagës ka reaguar edhe zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.
“Vendimi për Sheshelin i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte është dështim total i drejtësisë ndërkombëtare. Njeriu ka shkaktuar dhimbje, vdekje dhe kaos për mijëra njerëz”, ka shkruar Selimi në rrjetin social Twitter.
Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, ka thënë se aktgjykimi do të thotë se Sheshel mund të vazhdojë me politikën e tij dhe të bëhet njeri me ndikim.
“Pohimi se Sheshel me vendosjen vullnetarëve paraushtarakë ka dashur të mbrojë civilët, e çon Gjykatën e Hagës nga realiteti në fantazi”, ka thënë eksperti britanik për Ballkanin, Tim Judah.
Vetë Sheshel ka thënë “nuk i interesojnë reagimet nga Bosnja dhe Kroacia”.
“Kur kam shkuar në Hagë, e kam ditur se asnjë krim nuk mund të dëshmohet”, ka thënë Sheshel në një konferencë për gazetarë nga Partia Radikale Serbe.
Sheshel, i cili ka qenë zëvendëskryeministër në regjimin e Millosheviqit, është përballur me tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe në krahinën e Serbisë, Vojvodinë.
Prokurorët kanë thënë se ai ka ndihmuar ngritjen e njësiteve paraushtarake që do të ndihmonin realizimin e qëllimit të tij – krijimin e së ashtuquajturës “Serbi e Madhe”, e pastër etnikisht. Këta paraushtarakë kanë dëbuar dhjetëra-mijëra myslimanë dhe kroatë nga shtëpitë e tyre.
Lirimi i Sheshlit vjen një javë pasi Gjykata e Hagës ka dënuar ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me 40 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për gjenocid dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95. Rreth 100,000 njerëz kanë vdekur në këtë luftë.
Ratko Mlladiq, gjenerali serb që ka komanduar forcat serbe të Bosnjës, është duke pritur vendimin për të në Hagë.















