Prokuroria e Përgjithshme nuk ka bërë ende asnjë koment lidhur me refuzimin e vizës nga Ambasada Amerikane për drejtuesin e prokurorisë së Durrësit, prokurorin Agron Gjana (në foto me rreth të kuq). Lajmi, i bërë publik fillimisht në lapsi.al dhe më pas i trajtuar në të gjitha mediat e tjera, u dha gjatë kohës që kryeprokurori Adriatik Llalla ndodhej për një vizitë në SHBA, i shoqëruar nga një grup prokurorësh, pjesë e të cilit ishte edhe Agron Gjana, i cili nuk u pajis me vizë nga Ambasada.
AbcNews raportoi sot se ajo ka kërkuar një reagim nga zyra e kryeprokurorit Adriatik Llalla, por zëdhënsi për media, Albi Serjani, tha se për momentin nuk kemi ndonjë koment për rastin në fjalë, duke shtuar se vizita e kryeprokurorit në Amerikë është një vizitë zyrtare.
Reagimi i Prokruorit të Përgjithshëm për prokruorin Gjana, do të ishte me interes për opinionin publik, duke patur parasysh se në rastin e refuzimit të vizës për disa gjyqtarë, organi i akuzës pati deklaruar se mbështeste çdo veprim kundër korrupsionit në drejtësi. Zëdhënësi Albi Serjani, 4 ditë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, për refuzimin e vizave për gjyqtarët e “listës së zezë”, ishte shprehur ndër të tjera se Prokuroria e Përgjithshme mbështeste masat e SHBA-së.
“Prokuroria vlerëson çdo informacion për korrupsion në drejtësi dhe më gjerë, që mbërrijnë nga burime të besueshme. Ambasada amerikane është një ndër partnerët më të ngushtë të Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, ndaj dhe informacionet e saj për vepra të ndryshme penale kanë shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve konkrete”, ka thënë Albi Serani për mediat.
A do të kemi të njëjtën deklaratë edhe tani kur në këtë “listë të zezë” po futen edhe vartësit e Adriatik Llallës? Deri më sot, nga organi i akuzës nuk ka asnjë reagim.
AbcNews raportoi gjithashtu se kishte kontaktuar edhe me ministrin e Drejtësisë në lidhje me rastin e refuzimit të vizës për kryeprokurorin e Durrësit, Gjana, nëse e shihte këtë si pjesë e masave të SHBA kundër prokurorëve të dyshuar për korrupsion. Sipas ministrit Manjani, zyra e tij ka të njëjtin qëndrim siç kishte edhe për gjyqtarët.
Ministri Manjani, në rastin e gjyqtarëve pati deklaruar se përshëndeste “Ambasadën Amerikane për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që po na jep në këtë proces. Si ministër jam i gatshëm të çel menjëherë procedurën e shkarkimit për çdo gjyqtar apo prokuror që ndodhet në listat e kësaj natyre”.
Kryeprokruori Adriatik Llalla ndodhet në SHBA për një vizitë që do të përfundojë këtë të premte dhe të shtunën pritet të jetë në Tiranë, ndoshta për t’iu përgjigjur edhe interesimit të mediave. Llalla mund të komentojë gjithashtu edhe disa informacione të transmetuara në media, sipas të cilave, kryeprokurori nuk kishte të planifikuara takime me ndonjë nga zyrtarët e FBI apo DEA.















