Policia italiane ka nxjerrë detaje të reja në lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit shqiptar në Rimini.
Duke cituar policinë, mediet vendase shkruajnë se vrasja ka ardhur si pasojë e një konflikti në familje, të cilin 40-vjeçari kishte marrë përsipër ta zgjidhte.
“Nikolli ditët e fundit kishte shkuar në Milano, ku jetonte mbesa e martuar me një bashkatdhetar”, shkruajnë mediet italiane.
Mësohet se mbesa e tij jetonte një martesë të palumtur, ku keqtrajtohej e dhunohej nga bashkëshorti. Për t’i dhënë fund kësaj ai ka marrë mbesën në shtëpinë e tij, por nuk ka mundur t’i shpëtojë zemërimit të burrit dhe familjes së saj.
Si pasojë, mbrëmjen e së mërkurës, vrasësi me babanë e tij dhe me një person të tretë nisen nga Milano për në Rimini për të sqaruar situatën.
“Vrasësi është takuar me Nikollin në shëtitoren “Toscanelli”, përballë restorant “Cavallieri”, duke debatuar ashpër me të, pasi pretendonte të merrte mbrapsht gruan e tij”, ka njoftuar policia.
Po sipas medieve, ngjarja ka ndodhur për çështje nderi, pasi bashkëshorti i mbesës nuk pranonte marrjen e gruas.
Ndërsa 45-vjeçari largohet, vrasësi e godet pas shpine dhe largohet me makinë me bashkëpunëtorin të tij për tu kthyer në Milano.
Pak orë pas krimit policia arrestoi, bashkëshortin e mbesës së viktimës, babanë e tij dhe një person të tretë pozicioni i të cilit është ende duke u sqaruar nga hetuesit.
Dy të parët u morën në pyetje gjatë gjithë mëngjesit në Milano, por në atë kohë, nuk dhanë ndonjë hollësi të mëtejshme në lidhje me ngjarjen.
(11:16) Vrau 40-vjeçarin me plumb në qafë për gjakmarrje, pranga bashkëkombësit
Është arrestuar nga policia italiane, personi që vrau shqiptarin Petrit Nikolli. Sipas medieve italiane, arrestimi i vrasësit u bë pak kohë pas krimit, rreth 300 kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Emri i vrasësit nuk bëhet i ditur nga policia, por thuhet se ai është një shtetas shqiptar. Ndërsa “Ansa” raporton se Petrit Nikolli u ekzekutua për gjakmarrje, një çështje nderi që duhej larë me gjak.
Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë thënë se ai pak para se ta ekzekutonin kishte debatuar me disa persona të tjerë.
Një baba i 3 fëmijëve është ekzekutuar me pistoletë mbrëmjen e së mërkurës. Ngjarja ka ndodhur në Rimini të Italisë dhe viktima është një 40-vjeçar shqiptar.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se vrasja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme pranë një restoranti në shëtitoren “Toscanelli”, ku shqiptari është qëlluar nga një automjet.
Mediet italiane shkruajnë se bëhet fjalë për shtetasin Petrit Nikolli, i cili po priste fëmijë e katërt, pasi bashkëshortja ishte shtatzënë. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por pritet që policia italiane të japë detaje gjatë ditës.
Nikolli, me profesion zejtar ishte rezident prej disa kohësh në Itali. Mediet italiane shkruajnë se bashkëshortja e tij ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke e gjetur në rrugë trupin e pajetë të bashkëshortit të saj.
















