Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka deklaruar se askush nuk duhet të brengoset më për Trepçën sepse është tejkaluar momenti i krizës në kombinatin më të rëndësishëm të ekonomisë kosovare. Ai tha se me ligj do të bëhet mënyra e organizimit të Trepçës dhe tërheqjen e investimeve e huaja në Trepçë në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
“Konsideroj se askush nuk duhet të brengoset më sepse e kemi tejkaluar një moment i cili do të ishte moment i krizës për Trepçën. Mbetet të punohet në qetësi dhe të kemi para vetës të gjitha llogaritë dhe të gjitha pretendimet e borxhlive dhe që Trepça të punoj normalisht”, tha Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës.
Sipas tij, borxhet prej 1.4 miliardë dollarë janë vetëm pretendime të cilat ne nuk i dihen a janë të sakta dhe kjo duhet të vërtetohen në procedurë ligjore. Ai tha se ka biseduar kryesinë e Trepçës dhe i ka sugjeruar që mos të ndërpritet puna sepse nuk sheh asnjë arsye që minatorët të qëndrojnë në grevë sepse problemi do të zgjidhet në një procedurë normale.
“Ne konsiderojmë se asnjë arsye nuk është të bëhet grevë në Trepçë, sepse punëtorët janë të sigurt. Trepça është e sigurt dhe nuk mund të zgjidhet kjo çështje për një ditë ose tri ditë, lypset kohë që të zgjidhet situata”, u shpreh Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ditë më parë duhej të diskutonte vendimin për kalimin e Trepçës në ndërmarrje shtetërore, por ai u ndryshua në momentin e fundit pas reagimeve nga Beogradi se për vendime që kanë të bëjnë me pasurinë e Kosovës duhet të pyetet edhe Serbia pasi në të kundërtën do të bllokohen bisedimet për normalizimin e raporteve që po zhvillohen në Bruksel.















