Nga Neritan Gjergo
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbardhur programet orientuese të testimit të punësimit, i cili zhvillohet për të dytin vit radhazi. Kështu, në total janë 17 programe, ose 2 më pak se vitin e kaluar dhe përveç atyre lëndore përfshihen dhe ato për mësuesit e arsimit fillor, parashkollor dhe programet orientuese të shkollave artistike. Këtë vit, Ministria e Arsimit nuk do të zhvillojë testim për kandidatët e shkollave profesionale, çka do të thotë se ata janë në përgjegjësinë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale ose mungojnë vendet e lira në këtë drejtim. Ndërsa vitin e kaluar, në 12 qarqet e vendit u regjistruan rreth 8 mijë mësues, nga të cilët garuan 5300 që plotësonin kriteret. Përpos udhëzimeve, me të cilat duhet të përgatiten për testimin, MAS ka nxjerrë edhe datat e regjistrimit të parë që do të bëhet në portalin online “Mësues për Shqipërinë”. Regjistrimet do të kryhen, duke nisur nga nesër, deri në datën 12 dhjetor. Të gjithë kandidatët, të cilët nuk e kanë dhënë këtë testim, apo edhe ata që morën pjesë një vit më parë, u jepet e drejta për t’u regjistruar. Sipas Ministrisë së Arsimit kjo është faza më e rëndësishme për arsimtarët, pasi ata të cilët do të marrin më shumë pikë, do të kenë mundësi të punësohen direkt. Ndërkohë MAS po mbledh të gjitha vendet e lira të punës. Mësuesit që do të marrin pikët maksimale do të kenë mundësi të zgjedhin vendin e punës, pra do të zgjedhin shkollën ku do të punojnë.
Programet
“Shekulli” boton më poshtë disa prej programeve të lërndëve më të rëndësishme, ku dhe kërkesat për punë, priten të jenë më të larta, të tilla si Matematikë, Gjuhë-Letërsi, Biologji dhe Arsim Fillor. Sipas orientimit që jep MAS-i, kandidatët në testim duhet të jenë të aftë të shpjegojnë ligjin për sistemin arsimor parauniversitar dhe dispozitat normative të këtij sistemi, si dhe organizimin dhe funksionimin e strukturave organizative të shkollës. Gjithashtu, ata duhet të zbatojnë udhëzimet për hartimin dhe zbatimin e kurrikulës shkollore, si dhe udhëzimet për zbatimin e reformës kurrikulare në gjimnaz. Të gjithë arsimtarët që aplikojnë në portalin e hapur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në rast se e kalojnë fazën e testimit, pas emërimit duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e nxënësve dhe të kolegëve si dhe të zbatojnë udhëzimet në personelin e shkollës. Për sa i përket standardeve të drejtshkrimit, mësuesit duhet të njohin rregullat e drejtshkrimit të standardit të Gjuhës Shqipe, si dhe t’i zbatojnë ato gjatë veprimtarive në institucionin arsimor. Punëkërkuesit duhet të zotërojnë një larmi metodash të mësimdhënies efikase në lëndët përkatëse dhe të planifikojnë mësimin, bazuar mbi një teknikë apo metodë mësimore.
Literatura e përbashkët për të gjitha programet
Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Urdhri për miratimin e Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar (DN), nr 343, datë 19.08.2013. Udhëzim nr. 25, datë 17.08.2015 “Për vitin shkollor 2015-2016 në sistemin arsimor parauniversitar”. Udhëzimi nr. 44, datë 16.10.2014 “ Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 21 datë 23.07.2010 “Për normat e punës mësimoreedukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar””. Udhëzim nr. 5, datë 25.02.2013 “Për standardet e mësuesit”. Udhëzimi nr. 26, datë 15.08.2015 “Për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë”. – Udhëzimi nr. 2, datë 12.02.2015 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”. Karta e performancës së shkollës. Standardet e shkollës si qendër komunitare. Udhëzimi nr. 34, datë 11.09.2015 “Për vlerësimin e nxënësve për kurrikulën me kompetenca, në arsimin bazë”.
Mësuesit, programet e testimit by JolaAlimemaj
Mësuesit, programet e testimit by JolaAlimemaj
Mësuesit, programet e testimit by JolaAlimemaj















