Një tjetër prokuror ka rënë në pranga të policisë ditën e djeshme. Haxhi Giu, një ndër prokurorët që ka hetuar atë që është cilësuar si “dosja e shekullit“, vrasjen e deputetit Azem Hajdari, u arrestua pasi premtoi uljen e masës së dënimit për një person në këmbim të një shume parash prej 29 mijë eurosh. Së bashku me Haxhi Giun është arrestuar edhe një shtetas tjetër, Aleks Shpori, 29 vjeç. Arrestimi i prokurorit Haxhi Giu dhe shtetasit Aleks Shpori vjen pas dy muajsh hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Task-Force-n e Policisë. Policia sqaron se prokurori Haxhi Giu i kishte marrë shumën e parave prej 29 mijë euro-sh Aleks Shporit, për ndryshimin e masës së sigurisë për vëllanë e tij, i cili akuzohej për “Prodhim dhe shitjen e lëndëve narkotike”.
Takimi me “viktimën” në pikën e këmbimit valutor
Aleks Shpori, në muajin shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu dhe i kërkon që, në këmbim të një shume parash, të ndihmonte Paulin Shporin të dilte nga burgu. Nga hetimi rezulton se prokurori Haxhi Giu, ia ka bërë të qartë shtetasit Aleks Shpori se pozita procedurale e vëllait të tij është e vështirë dhe nuk mund ta ndihmojë atë. Pas këmbënguljes së 29-vjeçarit, prokurori i cakton një takim në Tiranë, fillimisht në një lokal dhe më pas së bashku shkojnë në një pikë këmbimi valutor. Sipas hetimit, në këtë pikë këmbimi valutor shtetasi Shpori depoziton një shumë parash, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori. Pas këtij takimi, prokurori Haxhi Giu vihet në lëvizje për të plotësuar kërkesën korruptive të shtetasit Shpori. Prokurori Giu, dërgon një informacion në Prokurorinë e Përgjithshme, sipas të cilit, nga shqyrtimi i elementëve të dosjes hetimore, duhet zbutur pozita procedurale e shtetasit Paulin Shpori, nga i akuzuar për veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”, në veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Akuza nuk pranoi kërkesën e prokurorit
Kërkesa e prokurorit Haxhi Giu nuk u pranua nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, pasi shqyrtoi kërkesën e prokurorit dhe materialin hetimor të dosjes, konkludoi se shtetasi Paulin Shpori, duhej akuzuar deri në përfundim të gjykimit për veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”, pra, me të njëjtën akuzë për të cilën po gjykohej deri në atë moment. Në këto kushte, prokurori Giu vijon procesin gjyqësor dhe në përfundim, shtetasi Paulin Shpori dënohet me 8 vite burgim për veprën e “Trafikut të lëndëve narkotike”. Pas dhënies së vendimit, prokurori i çështjes takohet sërish me shtetasin Aleks Shpori në të njëjtën pikë këmbimi valutor në Tiranë, ku i bën të ditur se, pavarësisht tentativave konkrete, nuk mund të bënte asgjë për të ndihmuar Paulinin që të dilte nga burgu. Ndërkohë, shtetasi Aleks Shpori, ka tërhequr nga pika e këmbimit valutor shumën që kishte lënë “garanci” dhe është larguar pa e kryer “pagesën” ndaj prokurorit, për shkak se nuk u arrit të zbutej akuza për vëllanë e tij.
Policia: Ja ku “kyçën” 29 mijë euro
Njësia task-forcë e policisë së Tiranës sqaroi se prokurori Haxhi Giu, i kishte marrë shumën e parave prej 29 mijë euro Aleks Shporit për ndryshimin e masës së sigurisë për vëllanë e tij, i cili akuzohej për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike. Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal viti 2015 të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, ka rezultuar se shtetasi Aleks Shpori, ka pasur vëllanë e tij Paulin Shpori, nën hetim me masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi ai në bashkëpunim me shtetasit I. R., A. B., B. Xh., P. A., janë arrestuar në flagrancë më datën 29 gusht 2014, nga policia e Krujës për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Gjatë fazës së gjykimit, shtetasi Aleks Shpori është takuar disa herë me prokurorin e kësaj çështjeje, shtetasin Haxhi Giu, të cilit i ka afruar shumën 29 mijë euro në këmbim të ndryshimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për vëllai e tij, Paulinin. Por, nisur nga fakti që nuk është bërë e mundur ndryshimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për të burgosurin Paulin Shpori nga ana e prokurorit të çështjes Haxhi Giu, është kthyer pas shuma prej 29 mijë euro-sh te vëllai i tij Aleks Shpori. Policia e zbuloi ryshfetin përmes kamerave të sigurisë në disa lokale, ku Shpori dhe Giu, janë takuar për të kryer bisedimet dhe transaksionin parash. Po kështu u sekuestrua edhe shuma e pretenduar nga akuza prej 29 mijë euro, DVD me pamje filmike të marra nga ambiente të ndryshme (lokale, exchange) në kryeqytet.
Arrestimi spektakolar i prokurorit
Arrestimi i Prokurorit të Krujës Haxhi Giu, është bërë dje rreth orës 15:13. Momenti i prangosjes është regjistruar nga një kamera e vendosur në trupin e efektivit të njësisë “Shqiponja”, i cili i komunikon edhe urdhrin e arrestimit. Ndalimi i prokurorit u bë pranë Sheshit “Shqiponja”, në dalje të Tiranës, në momentin kur ky po shkonte në zyrën e tij pranë prokurorisë së Krujës. Në momentin e ndalimit, efektivi i policisë i drejtohet prokurorit me fjalët: -“Drejtoria e Policisë së Tiranës! Z. Prokuror, ka një urdhër arresti për ju. Sigurojeni makinën me frena. Të lutem, zbrit me qetësi nga makina!”. Nga ana tjetër, prokurori komunikon me punonjësin e policisë, duke i kërkuar që të mos shoqërohet me makinë e policisë për në Drejtorinë e Tiranës, por efektivi këmbëngul, duke e detyruar që të dalë nga automjeti. Ndërsa efektivi i kërkon të vendosë makinën në frena dhe të dalë nga automjeti, një tjetër efektiv merr drejtimin e mjetit të Haxhiut dhe e dërgon në komisariat.
Detajet
1-Një detaj që vihet re nga prangosja e Prokurorit të Krujës Haxhi Giu, është qetësia e tij “olimpike”në momentin e ndalimit nga uniformat blu. Edhe pse polici i hap derën e automjetit, prokurori vazhdon të qëndrojë me telefon në dorë, sikur e ka ditur që ndaj tij kishte një urdhër-arresti. Prokurori i Krujës nuk ka bërë rezistencë duke iu bindur urdhrave të policisë. Në të njëjtën kohë Giu nuk ia ka kërkuar efektivit të njësisë “Shqiponja” mandatin e arrestimit ndaj tij, një procedurë standarde që ndiqet për çdo shtetas që vihet nën akuzë për vepra penale.
2- Pamjet filmike tregojnë edhe një aspekt tjetër të prokurorit Haxhi Giut, ku ai voziste me mjetin tepër luksoz tip “Mercedez Benz” me targë AA 669 AL. Trafiku u ndalua për pak minuta, deri në shoqërimin e tij për në Drejtorinë e Policisë se Tiranës. Por kështu, gjatë këqyrjes së pamjeve filmike, nuk tregohet në asnjë moment që policia t`i vërë prangat në duar prokurorit të Krujës, duke shkelur edhe procedurat që ndiqen në raste të tilla.
Karriera
Haxhi Giu, njihet një ndër prokurorët që udhëhoqi hetimet për vrasjes së Azem Hajdarit, 16 vite më parë. Pavarësisht se nuk kishte shumë vite eksperiencë në prokurorinë e Tiranës, Haxhi Giut, iu besua zbardhja e vrasjes së “shekullit”, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit të 1998, pranë ish-selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Pasi qëndroi për më shumë se 10 vite në pozicionin e prokurorit, pranë Prokuorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, më një vendim të ish-kryeprokurores Ina Rama, Haxhi Giu, transferohet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë. Ky vendim u morë në fillim të vitit 2008 dhe arsyet e transferimit ishin për shkak të ristrukturimit të prokurorive.
















