Deputeti Erjon Braçe iu përgjigj ish-kryeministrit Sali Berisha në seancën e sotme parlamentare. “Në ka njeri që nuk e do këtë vend dhe shqiptarët e ndershëm, ai je ti”, u shpreh Braçe.
Kreu i Komisionit të Ekonomisë mori rastin e ish-deputetit Nikollaq Neranxi për të argumentuar se dënimi me burg për biznesin sanksionohet edhe në ligjin aktual të miratuar nga demokratët. “Nuk mund ta mohoni, unë di të flas me fakte – deklaroi deputeti i majtë -. Në 2009-n ishit ju kryeministër. Nikollaq Neranxi është tregtar i zoti, por zotëria juaj e ka proceduar penalisht për kontrabandë dhe evazion. Këtu në Parlament ju keni votuar për t’i hequr imunitetin. Prokuroria ngriti akuzën dhe e nxori të pafajshëm. Por ju e kallëzuat, tentuat ta dënonit me burg sepse legjislacioni juaj në fuqi është i tillë. Bëhet fjalë për disa nene. Në ligjin tuaj është neni 171, ‘kontrabanda me mallra të ndaluar’, e dënoni deri në 10 vjet burg. Shembullin jua dhashë. Ja po ju citoj dhe nenet në fuqi. Neni 172, ‘kontrabandën me mallra për të cilat paguhet akcizë’ e dënoni me 7 vjet. Kontrabanda me mallra të licensuar, burg deri në 5 vjet. Kontrabanda me vlera kulturore, burg deri në 10 vjet. Tregtimi i mallrave që dihen se janë kontrabandë dënohen deri në 3 vjet e shumë nene të tjera. Për çfarë terrori flet këtu?”.
Kurse thirrjes së Berishës për largimin e shqiptarëve Brace iu përgjigj: “Si mund t’u bësh thirrje bizneseve që të ikin nga Shqipëria? Ku të shkojnë? Në Kodin Fiskal gjerman, neni 170 parashikohet dënim deri në pesë vjet burg për çdo person që deklaron tek autoritetet të dhëna të pasakta në lidhje me tatimet, nuk përdor pulla të tatimeve ose kasa fiskale. Mendon se vetëm ti je perëndia në këtë vend dhe i di të gjitha, por e harxhon kohën me thashetheme dhe ke 20 vjet që s’lexon asgjë”.
(15:20) Balla-Topallit: Djali i Enver Hoxhës merrte Saliun në varkë (VIDEO)
Socialisti Taulant Balla akuzoi sot deputetët e Partisë Demokratike se po përpiqen të manipulojë opinionin publik në përpjekje për të mbledhur njerëz për protestën e 8 dhjetorit.
Ai replikoi me ish-kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, sa u përket medaljeve të 70-vjetorit të çlirimit nga pushtuesit antifashistë, për të cilat Topalli tha se u janë shpërndarë kriminelëve më të mëdhenj të kohërave. Balla tha se ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha ka damkën e një komunisti të keq dhe që shoqërohej me Vito Kapon.
“Ai i pari s’ka shans ta heqë damkën e një komunisti të keq, se sa herë flet nxjerr gabime. Na the këtu zonjë për Vito Kapon. Si t’ia bëjmë kësaj fotoje këtu ku Hysni Kapo dhe Vito Kapo janë bashkë me Sali Berishën? Po teserën e partisë së shokut Sali? Po Berisha në këtë varkë?
Pse nuk merrte një tjetër në këtë sallë çuni i Enverit në varkë, po merrte Saliun. E vetmja që nuk më bën me emocione je ti. Sa për përpjekjet tuaja për të manipuluar opinionin publik, ato bëhen në përpjekje për të mbledhur njerëz në protestën e radhës.
Në vitet ‘95 ‘96 ‘97 me vendim të Këshillit të Ministrave dhe dekret të presidentit të Republikës të asaj kohe, që ka qenë Sali Berisha janë dhe statuset e veteranëve. Madje në 50-vjetorin e çlirimit, keni dhënë medalje për të gjithë ata që kanë përfituar. Me vendimin tuaj i keni dhënë status edhe Nexhmie Hoxhës dhe Aranit Çelës.
I dini kujtimet e Vitos: Kur më vdiq burri, më shumë qante Saliu sesa qaja unë. Për të rigënjyer dilni edhe thoni pse i dekoruat. Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë e respektojmë LANÇ. Është ligji juaj, është dekreti i presidentit Sali Berisha”, u shpreh Balla.
Topalli: Vetëm t’i flet nga PS se asnjëri nuk ka kurajë t’i dalë zot krimit. I njohur si shpifës me pagesë. E di pse je rritur ti me karrierë? Ti karrierën e ke filluar duke i çuar kafe Agim Isakut, as Fatos Nanos nuk i hyje dot në zyrë. E ke ngjit karrierën vetëm se shpif pa masë. Mendimet e mia i them aty ku jam. S’të lë ty të shpifës as për kryetarin e partisë. Ka vendim të gjykatës së Strasburgut.
Balla: Unë kam lindur në ‘77-n zonjë, dhe nuk kam pasur mundësi që të kem qenë as anëtar partie. Sa për prindërit e mi, njëri mësues, tjetra infermiere, njerëz të ndershëm. Ti ke një problem sepse ty komunizmi të ka lënë me pasoja. Ti zonjë, thonë që ke pasur pseudonimin “Dizenjatorja”. Ke instituti kafet i bëje ti. Unë nuk kam bërë karrierë me kafe, ti shiko se ke një arsye të madhe pse ke bërë karrierë ti. Nuk po ta them sot. Po ta kursej kësaj radhe.
Topalli: Nxirri jashtë Parlamentit të gjithë ata që shpifin pa u ndalur. Tani ti djalë ke 10 vite që shpif. Mbylle gojën, dëgjo! Ke 10 vite që çohesh dhe përpiqesh dhe mendon se më godet mua aty ku është pika ime më e fortë. Unë nuk e di çfarë do kisha bërë sikur të më kishin torturuar. Qesh more qesh se kjo është dita jote, janë kohë të marra.
(14:56) Ahmetaj: Dy ëndrrat e Berishës pas humbjes së vitit 2013
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha sot në Parlament se opozita është e tmerruar nga ulja e taksave për biznesin në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Ahmetaj tha se maxhoranca e majtë ka krijuar një kulturë të re në marrëdhëniet e shtetit me biznesin.
Në një replikë me ish-kryeministrin Berisha, Ahmetaj tha se reformat po e kthejnë ekonominë në rrugën e duhur.
“Ti një gjë ke ëndërruar që nga vitit 2013: revoltën e biznesit dhe një çarje të aleancës. Ulja e taksave për biznesin të tmerron. Ne nuk jemi ajo kulturë që synon të kapë biznesin gafil. Ne kemi kulturën e dhënies së kohës së duhur të vetëkorrigjimit.
Ti fole për varfërinë. Në 2012, ajo arriti kulmin në Shqipëri, kur ai që iku e quante vendin e dytë pas Gjermanisë.
Që ne të flasim për varfëri kur ka reforma që po e kthejnë ekonominë në vendin e duhur, kjo është e pamundur. Ka filluar të bjerë varfëria dhe këtë e thotë Banka Botërore. 167 mijë vende të reja pune të regjistruara në bordero. Por juve nuk ju pëlqen sepse doni të vini në pushtet me zi, se nuk keni ofertë politike”, tha Ahmetaj.
(14:40) Burg për kuponin, Berisha: Ligj stalinist që largon shqiptarët nga vendi
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar ligjin për kuptonin tatimor, pjesë e ndryshimeve ligjore të Kodit Penal, si një ligj një mekanizëm që do të çojë në largime masive të shqiptarëve.
“Ju ftoj të hidhni poshtë këtë ligj të turpshëm, stalinist, represiv, mekanizëm të fuqishëm të spastrimit etnik të shqiptarëve nga shqiptarët”, deklaroi deputeti demokrat në seancën e sotme plenare.
Ai u bëri thirrje vendeve të Evropës, aty ku mijëra shqiptarë kanë kërkuar azil ekonomik, që të vijnë në Shqipëri dhe të shohin situatën aktuale me të cilën po përballen qytetarët: “Miqve perëndimorë u bëj thirrje të urdhërojnë në Shqipëri të shohin çfarë po ndodh dhe përse këta njerëz po ikin, të shohin se këtu ka gjueti shtrigash ndaj biznesmenëve, qeveri zuzare, organizatë ndërkombëtare që nuk zbaton as vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar. Nëse nuk doni që dhe shqiptari i fundit të vijë te ju, urdhëroni në Shqipëri”.
Një pjesë të mirë të fjalës së Berishës e zuri dekorimi që iu bë hetuesit të At Zef Pllumit, duke deklaruar se në listën e të dekoruarve mund të jetë edhe ‘Zonja e Zezë’, Ledi Makbethi i shqiptarëve. “Duhet ta dini se në listën e të dekoruarve është ‘Zonja e Zezë’, Ledi Makbethi i shqiptarëve, e cila kur iu debilos i shoqi mori vendimet më të zeza për shqiptarët. E keqja më e madhe ndodh kur tjetri të denoncon për besimin te Zoti. Pse të rrimë në Parlament, pse të besojnë shqiptarët në vlera që s’i kanë më, pas dekorimit të xhelatëve, më të egër të diktaturës?”, shtoi ish-kreu i qeverisë.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka rikthyer në Shqipëri gjenocidin: “Kemi punuar dy vjet për dekriminalizimin, por Rama ktheu krimin në formën e tij më të shëmtuar. Ky kryetar maxhorance ktheu në Shqipëri formën më të egër, çnjerëzore të krimit duke dekoruar personat që kanë kryer gjenocide. Shqipëria ishte e para që miratoi ligjin e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ai ligj është djep kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Ai ligj nuk ndryshohet e as anulohet”.
Në fund deputeti i djathtë denoncoi edhe ndërhyrjet e Shqipërisë në çështjet e brendshme të Kosovës. “Denoncoj dhe dënoj ndërhyrjen e Tiranës në problemet e Kosovës. Njerëz të padenjë janë manipuluar duke bërë sulme e insinuata ndaj autoriteteve të Kosovës. Të ndërpriten këto ndërhyrje, ne jemi të detyruar e destinuar që të bashkëpunojmë pa asnjë dallim partiak. Mesazhet e njëanshme janë të dënueshme, asnjëri prej autoriteteve të Kosovës nuk e do situatën e krijuar në vend. Ata kanë firmosur marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-të”, u shpreh Berisha.
(13:18) Majko: Ligji godet kontrabandën, jo biznesin e ndershëm (VIDEO)
Deputeti socialist Pandeli Majko akuzoi opozitën se po mban një qëndrim politik lidhur me propozimet e sjella nga qeveria për ndryshime në Kodin Penal. Sipas tij, përmes ndryshimeve të bëra, qeveria nuk godet biznesin e ndershëm, por ato biznese që deformojnë tregun dhe bëjnë kontrabandë. “Ne po godasim kontrabandën, ju po na thoni po godisni qytetarin. Po kriminalizohet kontrabanda me ndryshimet në Kodin Penal. Varianti i ardhur nga qeveria kishte të bënte edhe për dënimin me burg për lëshimin e kuponit. Tani që flasim, neni është ndryshuar, që bën që moslëshimi i kuponit të dënohet me dënimin minimal të mundshëm. Ajo që duhet të qartësohet është që kolegët tanë në Komisionin e Ligjeve ishin dakord me këto ndryshime”, tha Majko.
(12:16) Debate në Kuvend, PD: Rama të jetë në seancë; Ruçi: Ka programin e vet
Në nisje të seancës së sotme, deputetët demokratë Jozefina Topalli dhe Edi Paloka i kërkuan kryeparlamentiarit Meta të heqë nga rendi i ditës projektligjin për lojërat e fatit. Sipas të djathtëve, projektligji është futur për votim në kundërshtim me rregulloren, pasi vetëm dje ka kaluar në komisionet përkatëse.
“Ka një nen që i jep të drejtë kryetarit t’i kthejë një ligj mbrapa qeverisë një ligj antikushtetues. Projektligji për lojërat e fatit është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe duhet nxjerrë menjëherë nga rendi ditës”, tha Topalli.
Ndërsa Pakola nënvizoi: “Futja e projektligjit për lojërat e fatit ka kaluar dje në komision dhe sipas rregullores s’mund të jetë sot në seancë”.
Më tej ai kërkoi që kryeministri Rama të jetë në seancë, pasi ka rreth dy muaj që mungon, duke mos u dhënë përgjigje shqetësimeve të opozitarëve, të cilët sipas Palokës, përfaqësojnë zërin e qytetarit. “I ka bërë përshtypje çdo shqiptari që ka gati dy muaj që kryeministri Rama mungon në vendin e tij çdo të enjte. Sot po takohet në filan vend me filanin, nesër një tjetër. Ne jemi deputetë, përfaqësojmë interesat e shqiptarëve. I pari që duhet të japë përgjigje është Edi Rama. Nuk kemi zgjedhur një piktor zhgarravitës, detyrimi i tij parësor është të jetë këtu në Kuvend, jo të bredhë nëpër botë. Ka dy muaj që s’e sheh njeri”, vijoi Paloka.
Ruçi: Po synohet të shpërdorohet seanca
Duke iu përgjigjur opozitës, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, këshilloi që ajo të kërkojë interpelancë ose mocion me debat, pasi kryeministri ka programin e vet të ngjeshur me takime të rëndësishme për vendin. Ruçi kërkoi që të mos shpërdorohet seanca. “Është bërë zakon tani që seancat përdoren për probleme që nuk i përkasin rregullores dhe procedurës së parlamentit. Po synohet të shpërdorohet seanca. Nuk ka të drejtë kryetari i Parlamentit të kthejë një nismë të një deputeti apo të Këshillit të Ministrave. Lidhur me termat që rëndom trajtohen këtu për kryeministrin, kolegë të opozitës, nëse keni nevojë për të depozitoni një seancë interpelancash, një mocion për debat që ta pyesni. Kryeministri ka axhendën e tij me takime. Herën e parë e kërkuat gjatë vizitës së rëndësishme në Turqi, më pas në takimin e 16 kryeministrave në Kinë. Gjeni rrugët dhe mjetet për t’u ballafaquar me kryeministrin, por jo në këtë mënyrë, sepse është e turpshme”, tha Ruçi.
Topalli: Çdo përpjekje e maxhoranës për të ndaluar fjalën është alarmante
Pas Ruçit, deputetja demokrate Jozetlna Topalli u shpreh se e drejta për të folur për procedurë është e sanksionuar në rregullore dhe se çdo përpjekje e maxhorancës për të ndaluar fjalën është alarmante. “E drejta për procedurë është e drejtë e sanksionuar në rregullore dhe çdo deputet ka të drejtën për pesë minuta të marrë fjalën për procedurë. Deri në këtë moment deputetët kanë folur për çështje të rendit të ditës. Çdo përpjekje e maxhoranës për të ndaluar fjalën e deputetëve të opozitës është alarmante”, tha Topalli. Ajo i kërkoi kryetarit të Kuvendit të kthejë ligjin për pronat të sjellë nga qeveria: “E drejta për të kthyer projektligjin është e drejtë e Kuvendit. Është detyra juaj si garant i parlamentarizmit, zbatoni fuqinë që ju jep rregullorja. Ktheni mbrapsht atë ligj enverist që Edi Rama ka sjellë për moskthimin e pronave!”.
Kurse kreu i Kuvendit, Meta, u shpreh: “Kjo e drejtë përdoret kur shërbimet juridike të Kuvendit konstatojnë se një ligj nuk është në përputhje me rregulloren. Nuk ka të drejtë kryetari i Kuvendit të shprehet për një ligj”.
Ndoka: Rama të tërheqë dekorimin e vrasësit të At Zef Pllumit
Deputeti i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, reagoi mbi dekorimet që qeveria bëri me rastin e 29 Nëntorit. Në fillim të seancës së sotme parlamentare, ai theksoi se dekorimi i Shyqyri Cokut, hetues i At Zef Pllumit, është një krim dhe se kryeministri duhet të tërheqë këto dekorata. Përndryshe, tha ai, Parlamenti do të reagojë me rezolutë ose projektligj të veçantë. “Kur u dekorua autori i vrasjes së At Zef Pllumit, nuk e besova për momentin për faktin se vetë qëndresa dhe simboli i At Zef Pllumit është i njohur dhe nga vetë kryeministri. Ai na la një vepër që quhet ‘Rrno për me tregue’, dhe ‘rrno për me tregue’ jo vetëm Parlamentit shqiptar, por edhe më tej. Edhe Senati italian e ka njohur këtë. Si duket, kryeministri që e ka lexuar këtë libër, bashkë me memorien e përjetshme të at Zef Pllumit e ka injoruar. At Zef Pllumi rrnoi për me tregu, por nuk pati se kujt me i tregu. Nëse kryeministri nuk e tërheq këtë dekorim të turpshëm, nëse nuk do ketë një reflektim, mendoj se Parlamenti duhet të shprehet nëpërmjet një projektligji ose rezolute që të mos e lejojë dekorimin”, tha Ndoka.
(11:40) Mblidhet Kuvendi, diskutohen ndryshimet në 4 kode
Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare për të diskutuar dhe votuar ndryshimet në katër kode.
Duke qenë se miratimi i tyre kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash, kjo seancë shihet edhe si një provë për shumicën qeverisëse.
Ndryshimet që do të diskutohen janë ato në Kodin e Familjes, Kodin Penal, Kodin e Punës dhe Kodin Rrugor. Debate më të gjata pritet të ketë lidhur me ndryshimet Kodin Penal, disa nene të të cilit parashikojnë ashpërsimin e dënimeve për të gjitha bizneset që nuk presin kuponin tatimor apo kryejnë evazion fiskal në mënyra të tjera.
















