Ministria maqedonase e Kulturës ka mbështetur me bursë mbi 30 aplikime për specializime në katedra të universiteteve prestigjioze në botë të artistëve të rinj vendas. Rezultatet e konkursit për aftësimin profesional të artistëve nga të gjitha sferat e artit dhe edukimin e kuadrit deficitar janë bërë publike të premten nga ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska. Por në këtë konkurs rezulton të mos ketë marrë pjesë asnjë shqiptar.
Sipas ministres, specializimi do të bëhet në ato disiplina të cilat nuk janë prezente në fakultetet vendase të artit, ndërsa bursistët e sivjetshëm do të studiojnë në fakultete të njohura të artit në Paris, Las Vegas, Boston, Pragë, Amsterdam, e të tjera.
“I është kushtuar rëndësi deficitarizmi në disiplinat e artit, përkatësisht sigurohet mbështetja e studimeve që nuk janë prezanto në institucionet tona të arsimit, mbështetja që jepet për profesionalizmin dhe artistëve të njohur, për specializimin e kuadrit deficitar që merren me sferën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, por edhe specializimi në sferën e marketingut dhe menaxhmentit të artit dhe zbatimi i metodologjive të reja”, ka thënë kreu i Ministrisë së Kulturës.
Pjesa më e madhe e bursistëve pas mbarimit të specializimit kthehen në vend, për të punuar në institucionet e ndryshme të artit dhe kulturës, duke kontribuar në avancimin e kësaj sfere.
















