Të paraburgosurit e grupit të Kumanovës janë torturuar dhe keqtrajtuar. Ky lajm është bërë i ditur nga Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti.
“Pas grumbullimit të dëshmive dhe informacioneve kemi siguruar dëshmi të mjaftueshme se tek një i paraburgosur është kryer torturë. Njëlloj edhe në rastet e tjera të të paraburgosurve kemi informacione për maltretime dhe tortura dhe këto denoncime janë bërë edhe nga avokatët dhe të afërmit e të paraburgosurve”, deklaroi Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti.
Ai ka përmendur edhe rastin e një polici të paraburgosur, që siç thuhet është maltretuar dhe torturuar nga kolegët e tij.
“Kemi informacione dhe të dhëna se personi i punësuar në polici që është nga Kumanova është trajtuar keq dhe maltretuar që kur është shqiptuar masa e paraburgimit. Për ne personat zyrtar që kanë kryer aktet e tilla nuk janë të njohur, por për organet e tyre përgjegjëse ata janë të njohur dhe dihet se cilët kanë qenë policët”, deklaroi Mehmeti.
















