Në fjalën e mbajtur, Lazimi vlerësoi si prioritare rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët në çdo cep të vendit
Pas dorëheqjes së Ardit Çelës, Këshilli Mbikqyrës i Postës Shqiptare, emëroi Majlind Lazimin në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të saj. Në fjalën e mbajtur, Lazimi vlerësoi si prioritare rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët në çdo cep të vendit, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
“Objektiv madhor mbetet performanca ekonomiko-financiare e shoqërisë. Posta Shqiptare duhet të ketë ambicien për t’u kthyer në një institucion lider në treg për një gamë shërbimesh postare, financiare dhe bankare”, tha ai.
Lazimi kërkoi dedikim të plotë dhe përgjegjshmëri nga i gjithë stafi i shoqërisë për ta kthyer Postën Shqiptare në një histori suksesi në menaxhimin e kompanive publike.














