Ministrja e Mbrojtjes ka falenderuar tre pilotët e Forcës Ajrore që u sulmuan me armë automatike gjatë aksionit anti- kanabis të ndërmarrë në Dukagjin
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka shprehur mirënjohje për 3 pilotët që vunë në rrezik jetët gjatë aksionit të ndërmarrë nga Ministria e Brendshme në Dukagjin, në kuadër të luftës kundër lëndëve narkotike. Përmes një postimi në rrjetin social Fejsbuk, Kodheli ka falenderuar tre pilotët, nën-kolonel Altin Lama, kapiten Ervin Buzi dhe tetar Saimir Balla të Forcës Ajrore.
Në mesazhin e saj ministrja thotë se angazhimi për rivendosjen e shtetit ligjor dhe kontrollin mbi territorin do vazhdojë.
“Falenderime dhe mirënjohje pafund për pilotët, nën.kolonel Altin Lama, kapiten Ervin Buzi dhe tetar Saimir Balla, të forcës ajrore të cilët sot vunë jetën në rrezik duke venë detyrën para jetës, në aksionin e ndërmarrë nga Min.Brendshme në luftën kundër lendeve narkotike. Angazhimi ynë për rivendosjen e shtetit ligjor dhe kontrollin mbi territorin do vazhdojë. Pilotët e Forcës ajrore sot meritojnë mbështetjen e padiskutuar të gjithë opinionit publik për kontributin e dhëne në shërbim të shtetit të tyre.”- shprehet Kodheli.
Dy prej tre helikopterëvve të vënë në mbështetje të forcave të policisë që morrën pjesë në operacionin antikanabis në Shkodër u sulmuan me armë automatike nga një shpat mali në Pult të Dukagjinit. Nga sulmi nuk pati të lënduar.















