
Petrit Kuçana
Miliona makina angleze nuk do të mund të përdoren më nga 25 Tetori si pasojë e rregullave të nxjerrë nga qeveria britanike në të quajturën Ulez (Ultra Low Emission Zone).
Janë me mijëra shqiptarë që preken drejtëpërsëdrejti, por asnjë prej tyre nuk mund “ta dhurojë” makinën e tij ne Shqipëri, pasi para tetë vitesh qeveria shqiptare miratoi një ligj që ndalonte makinat angleze .
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme që kemi bërë ne si media, ky ligj vazhdon të ekzistojë duke penalizuar mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë ne Britani.
Dukeshin sa komike aq edhe të pajustifikueshme, përgjigjet zyrtare që morëm nga dikasteret e shtetit shqiptar, duke filluar që nga Ministria e Brendshme, e cila nga njëra anë ritheksonte se makinat me krah anglez janë burim aksidentesh dhe në anën tjetër, na tregonte se nuk kishin ndonje shifër të uljes së aksidenteve pas miratimit të këtij ligji, pasi aksidentet nuk përllogariteshin nëse bëheshin nga makinat angleze ose jo.
Në te dy samitet e diasporës, apo ne çdo takim të mundshëm me zyrtaret e shtetit shqiptar, jemi munduar ti ndërgjegjësojmë si dhe të ndikojmë në abrogimin e këtij ligji absurd. Në të shumtën e rasteve u përballëm me konfuzitetin zyrar, duke dëshmuar pamundësinë e tyre për heqjen e këtij ligji.
Çdo shpresë mori fund në “sqarimin” që Ministri i Diasporës Majko bëri në nje takim në Londër, ku pas pyetjes sonë u pergjigj se na qenkërkan një grup specialistësh, që paskërkan menduar se makinat angleze janë burim aksidentesh.
Më kot jemi përpjekur të argumentojmë se janë miliona britanikë që jetojnë nëpër Evropë, por që asnjë shtet nuk i ka privuar nga e drejta e përdorimit të makinave me krah anglez. Kaq jo serizosht e kanë marrë këtë çështje, saqë nuk e marrin mundimin të bëjnë qoftë edhe një krahasim te thjeshtë mbi impaktin që ka patur ky ligj, në uljen e numrit të aksidenteve në Shqipëri që prej 8 vitesh.
Çdo shqiptar i Britanisë i shikon me dhimbje çmimet që kanë makinat e ardhura nga Greqia, Italia etj etj që në rastin më të mire, janë të paktën dy herë më të shtrenjta se makinat britanike, madje as që nuk mund të imagjinohet gjendja skandaloze e makinave në krahasim me çmimin.
Çdo mendje e ftohtë që logjikon jashtë interesave të caktuara, do ta gjente të pajustifikueshëm këtë ligj që qëndron kokëfortë përballë çdo argumenti, aq më tepër të një opinioni të disa specialistëve, mbi bazën e të cilëve relatorët vendosën propozimin e këtij ligji.
Në rrethana të reja, kur miliona makina britanike do të bëhen të papërdorshme kryesisht për Londrën, padyshim që çmimi i tyre do të pësojë një ulje drastike dhe të paimagjinueshme, në krahasim me çmimet e makinave që janë aktualisht në Shqipëri. Të gjithë ata që mendojnë edhe për ambjentin, lejimi i këtyre makinave do të ishte një zgjidhje shume e mirë.
Mbase edhe ata “specialistë”, që dikur mendonin që makinat angleze janë shkaktare të aksidenteve në Shqipëri dhe që kanë patur 8 vite kohë për ta vërtetuar që kjo nuk është e vërtetë, ndoshta edhe ata do të ndërgjegjësohen, që lejimi i makinave angleze do të jetë vendimi i duhur edhe për ekonominë e shkatërruar të familjeve shqiptare.
Ndoshta në këto kushte të reja do të logjikohet jashtë ndikimeve për interesa të caktuara dhe do të merret një vendim i drejtë duke lejuar makinat angleze të hyjnë në Shqipëri.





















