Një mijë familje në Durrës marrin tapitë. Vazhdon procesi i legalizimit në të gjithë qarkun e Durrësit, ndërsa zonat më informale të këtij qarku janë zona e ish- Kënetës dhe vija bregdetare. Në fjalën e tij, gjatë shpërndarjes së tapive, Edi Rama është shprehur se qeveria e kaluar, arriti të legalizojë vetëm 2407 legalizime në 8 vjet, ndërsa deklaroi se procesi i legalizimeve do të jetë i hapur dhe do vazhdojë në mënyrë intensive. Rama tha më tej se çështja e legalizimeve nuk ishte premtim që do shmangej. “Legalizimet, nuk i lamë në fushatën e radhës, do të vazhdojnë në mënyrë intensive”- bëri të ditur kryeministri Rama. “Qeveria e kaluar bëri vetëm 2407 legalizime në 8 vjet, ndërsa ne sot legalizojmë dhe kthejmë në pronë mundin e 1000 familjeve”, u shpreh kreu i qeverisë.
Këneta, së shpejti Durrësi i Ri
Zona e ish-Kënetës në Durrës pritet të përfitojë qysh nga sot një fond të posaçëm nga qeveria, e cila ka planifikuar ta shndërrojë këtë zonë në një qytet, në Durrësin e Ri. Nga Durrësi ai u shpreh: “Nesër do të miratojmë në parlament një program plus investimesh për muajt e mbetur. Një nga pjesët e këtij programi është një investim shumë i fortë që do të bëjmë në të gjithë zonën e Kënetës në Durrës, në Durrësin e Ri, po themi. Ju i thoni Durrësi i Ri, por ajo akoma Këneta është. Kështu që, Durrësi i Ri do të bëhet pasi të legalizojmë shtëpitë, pasi të bëjmë edhe investimet e duhura, rrugët, ndriçimin, kopshtet, çerdhet. Atëherë do të jetë tamam Durrësi i ri, tani është Këneta, që të paktën shpëtoi nga rrënimi i mëtejshëm. Aty duhet të lindim Durrësin e Ri, nuk duhet të rilindim Kënetën”. I pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes titujve të pronësisë për banorët e qytetit bregdetar ishte edhe ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, si dhe kreu i ALUIZNI-t Artan Lame.
Qeveria vendos çmimet e truallit për legalizimet
Qeveria vendos vlerat dhe çmimet e parcelave ku janë bërë ndërtimet pa leje, duke përcaktuar çmimet dysheme dhe tavan. Gazeta “Shekulli”, zbardh vendimin e qeverisë për çmimin e truallit. Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi (përfshirë dhe shtesat anësore dhe ose në lartësi në ndërtime me leje) llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të këshillit të Ministrave. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50 për qind e lerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave, ku çmimi për metër katror përllogaritet sipas kësaj pike është më i vogël se 400 lekë apo më i madh se 1 500 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jenë këto vlera kufi. Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 500 lekë apo më i madh se 2 mijë lekë, çmimi do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi. Për shtesat anësore dhe në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 1 mijë lekë apo më i madh se 3 mijë lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera kufi.
















