Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë sot në sesionin e hapjes së Forumit të 8-të Ballkanik me temë, “Financimi dhe sfidat në sistemet e kujdesit shëndetësor për rajonin e Ballkanit”, i cili organizohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në datat 25-26 shtator në Tiranë. Në fjalën e tij përshëndetëse për pjesëmarrësit, Ministri Beqaj e vuri theksin tek angazhimi kryesor i Qeverisë shqiptare në fushën e shëndetësisë, e cila e konsideron mbulimin universal shëndetësor si sistemin kryesor gjithëpërfshirës të ofrimit të këtij shërbimi, i cili, jo vetëm që përbën një hallkë kyçe në ofrimin e një sistemi më të mirë të kujdesit shëndetësor, por edhe parimin themelor udhërrëfyes për zhvillimin e sistemit shëndetësor. Kreu i shëndetësisë në vend u ndal edhe në nismën e ndërmarrë vetëm pak ditë më parë, më 19 shtator (2014), nga një grup prej më shumë se 50 partnerësh nismëtarë, përfshirë OBSH dhe Bankën Botërore, me mbështetjen e Rockefeller Foundation, të cilën shpallën për herë të parë nismën për kremtimin e datës 12 Dhjetor 2014, si Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal [“Health for All” – Universal Health Coverage Day]. “Dy vjet më parë, më 12 dhjetor 2012, OKB-ja miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i kërkon qeverive të shteteve anëtare sigurimin e qasjes universale të qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor pa pengesa ose kufizime financiare, më 12 dhjetor 2014, ky koalicion global i porsakrijuar do të bëjë thirrje që mbulimi universal shëndetësor të kthehet në çështjen kryesore të rendit të ditës përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe një objektiv me përparësi absolute për të gjithë kombet”, tha Beqaj. Duke folur për nismat dhe projektet e Qeverisë drejt mbulimit universal shëndetësor, Ministri Beqaj shpjegoi hapat e parë që sapo janë hedhur në këtë drejtim, siç janë Paketa e Kontrollit Bazë Shëndetësor Falas për grupmoshën 40-65 vjeç dhe miratimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkës, ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, transplantit koklear, të financuara 100% nga Qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe në atë jo-publik “Ne jemi tërësisht të bindur se do t’ia dalim të rrëzojmë barrierat me të cilat përballen shumë shqiptarë dhe do të mundim të ofrojmë më tepër siguri me kujdesin shëndetësor që ata meritojnë, duke krijuar një qasje të re drejt mbulimit universal,” tha më tej në fjalën e tij ministri.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















