Reforma Territoriale u miratua pas debatesh mbi krahinat në vend ku në fokus ishte Himara dhe kundërshtitë që kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule kishte mbi bashkimin e kësaj bashkie me Vranishtin
Kuvendi miratoi me 88 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit që përfshin 61 njësi vendore. Vota kundër ishte ajo e deputetit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) Vangjel Dule votoi ndërsa deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Vangjel Tavo abstenoi.
Para miratimit të ligjit, kryetari i Kuvendit Ilir Meta hodhi në votim disa amendamente të propozuara nga deputetët për draftin në fjalë. Maxhoranca rrëzoi një amendim të deputetit Dule, ndërsa miratoi një tjetër amendim të propozuar prej tij dhe një grup deputetësh të PS-së e LSI-së. Po ashtu u miratuan dhe amendamentet e propozuara nga grupi parlamentar i PDIU-së, si dhe një amendim i deputetit Andrea Marto.
Ndërkaq me përfundimin e seancës plenare erdhi edhe reagimi i ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu. Në një prononcim për mediat jashtë mjediseve të Kuvendit, Arvizu përshendeti miratimin e reformës duke theksuar se tashmë pritet zbatimi i saj.
“Gjatë gjithë këtij procesi ne kemi kërkuar që procesi i bisedimeve të jetë sa më gjithëpërfshirës në mënyrë që të ishte konsensusi kombëtar më i madh i mundshëm. Ashtu si me çdo reformë, më e rëndësishmja është zbatimi dhe implementi i reformës. Kjo do të thotë decentralizim. Ndërsa kjo reformë zbatohet ne mirëpresim politikën e hershme të Shqipërisë në zbatimin e minoriteteve dhe të drejtave të tyre”, tha Arvizu.
Projektligjet e miratuara
Pas përfundimit të diskutimeve mbi të gjitha projektligjet, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta hapi procedurën e votimeve, në të cilën do kalojnë të gjithë projektligjet, shumica e të cilave kërkojnë 84 vota.
-Miratohet me 84 vota pro, projektligjin për Kodin e Procedurës
-Miratohet projektligji për Gjykatën Administrative votohet me 84 vota
-Projektligji për KLD, votohet me 84 vota pro
-Rrëzohet projektligji për një ndryshim për dhënie amnistie
-Miratohet projektligji për ‘Kodin Doganor’, me 89 vota
-Miratohet projektligji për ‘Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”
-Miratohet Kontrata për Furnizim me 5 Helikopterë
-Miratohet projektligji për ‘Sigurimet Shoqërore’, me 88 vota pro
-Miratohet projektligji ‘Për Policinë e Shtetit’, me 81 vota pro
-Miratohet projektligji ligji “Për bypass-in e Vlorës”
-Miratohet marrëveshja për grantin me BERZH
-Miratohet me 88 vota pro projektligji “Ndarja Administrativo-Territoriale”
-Ndarja administrativo territoriale “88 pro 1 kundër 1 abstenim
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social Fejsbuk menjëherë pas votimit të ndarjes së re administrative territoriale shkruan se “sapo është votuar me shumicë dërrmuese reforma historike e riorganizimit administrativ të Shqipërisë! Një hap i madh drejt një atdheu modern”.
Me votimin e reformws administrativo- territoriale shënoi edhe përfundimin e këtij sesioni parlamentar I cili do të rifillojë sërish në vjeshtë.














