Lideri VV-së, Albin Kurti, tha se kohët e fundit është takuar me Veton Surroin dhe se me të ka një afri konceptuale dhe ideologjike.
“Me Surroin jemi takuar disa herë kohët e fundit. Kemi biseduar për shumë gjëra dhe kam vërejtur se me të kemi përputhje konceptuale, sepse edhe Surroi është i një linje socialdemokratet qendrës së majtë”, tha Kurti.
“Parku i paqes” tallje me shtetin e Kosovës
Lideri VV-së, Albin Kurti, thotë se pavarësisht mëkateve që mund të kenë edhe Isa Mustafa gjatë qeverisjes me Prishtinën dhe të Fatmir Limajt derisa ishte ministër i Transportit, megjithatë është PDK-ja ajo që e ka kapur shtetin për fyti. Për zhvillimet e sotme në Mitrovicë, ku u hoq e pastaj u rikthye barrikada mbi urë, Kurti tha se “Parku i paqes” është tallje me shtetin e Kosovës
Kurti sërish ka potencuar se mund të bëhen pjesë e qeverisë, por nuk ka dashur të komentojë lidhur me postet e ndara nga tre partnerët e koalicionit opozitar.
“Për të gjitha do të bisedojmë në fazën e dytë. Pra, nëse arrijmë marrëveshje për dialogun, privatizimin dhe Asociacionin e Komunave Serbe, atëherë mund të flitet për pjesëmarrjen tonë në qeveri”, tha Kurti në emisionin Rubikon të KTV-së.
Duke komentuar zhvillimet e sotme lidhur me heqjen e barrikadës dhe rikthimin e barrikadës përmes “Parkut të paqes”, Kurti ka thënë se kjo që ka ndodhur sot është tallje me shtetin e Kosovës.
“Si mund të ketë park të paqes me njerëzit më jo paqësorë. Deri tash kishim barrikadë tek ura tash e kemi tërë urën mbi lumin Ibër të barrikaduar”, ta Kurti.
Nëse nuk përfillen kërkesat tona nuk e votojmë qeverinë e opozitës
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se është optimist lidhur me procesin e mëtejmë të bisedimeve në mes të katër subjekteve opozitare që të arrijnë marrëveshje edhe për çështjet me rëndësi, siç është vazhdimi i dialogut. Thotë se në qoftë se blloku opozitar (LDK, AAK dhe NISMA) nuk do të përfill kushtet e VV-së, subjekti i tij politik nuk do ta votojë qeverinë e opozitës.
Duke folur për takimet me paritë e bllokut opozitar, thotë se ato kanë qenë shumë konstrktive dhe nuk ka pasur dallime, siç është paraqitur në media.
“Mund të them se në takimet tona ka shumë konstruktivitet. Njësoj është edhe në takimet me miqtë ndërkombëtarë, të cilët në takime vijnë me dy kapela. Pra, duhet të kihet parasysh se në çfarë roli vijnë miqtë tanë në takime”, tha Kurti.
Ai thotë se VV nuk heq dorë nga kërkesat e saj, për mos vazhdimin e dialogut pa kushte, mos zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe ndërprerjen e privatizimit.
Thotë se në qoftë se blloku opozitar (LDK, AAK dhe NISMA) nuk do të përfill kushtet e VV-së, subjekti i tij politik nuk do ta votojë qeverinë e bllokut opozitar.
Kurti pranon se ka pasur kritika për LDK-në dhe AAK-në, por thotë se këto dy subjekte politike nuk e kanë kapur shtetin për fyti.
Ai nuk përjashton mundësinë që edhe VV të hyjë në qeverinë e bllokut opozitar, në qoftë se partitë e këtij blloku pajtohen me programin qeverisës të VV-së.
Kurti pranon se PDK ka dalë partie e parë në zgjedhje, por thotë se nuk do të ketë Qeveri Thaçi 3.
Jemi marrë vesh për një qeveri emergjente dyvjeçare
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në emisionin Rubikon të KTV tha se ishte iniciativa e Vetëvendosjes për të penguar Hashim Thaçin që të formojë Qeverinë. Thotë se me tri partitë e bllokut opozitar janë dakorduar të formojnë një qeveri emergjente me mandat dyvjeçar.
Kurti tha se qysh të hënën, një ditë pas zgjedhjeve, kanë hasur në gatishmërinë e tri subjekteve të tjera opozitare që të bashkohen për të pamundësuar krijimin e qeverisë nga koalicioni i bashkuar me PDK-në.
“Takimet me udhëheqësit e LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s kanë ndodhur të martën dhe pas këtij takimi tri subjektet politike dolën me marrëveshje”, tha Kurti.
Ai thotë se ishin marrë vesh që të mbahej edhe një takim, ku do të përcaktoheshin hapat e mëtejmë për krijimin e qeverisë.
“Jemi marrë vesh që të krijojmë një qeveri emergjente për një mandat dy vjeçar”, tha Kurti, duke potencuar se këto tri subjekte politike, (LDK, AAK dhe NISMA), janë ngutur pak me ndarjen e posteve.
“Nuk jemi ftuar në bisedat për ndarjen e posteve”, tha Kurti në “Rubikon”.














