Beteja mes policisë dhe trafikantëve lazaratas e ka kthyer fshatin në një shesh lufte. Mortaja, mitraloza të rëndë dhe të lehtë, antitanke, autoblinda e deri snajperë në përdorim. Breshëri armësh nga grupi rebel dhe kundërpërgjigje nga forcat e policisë dhe ato speciale.
Banorë të “ngujuar” prej tre ditësh në shtëpitë e tyre, që nxitojnë të dalin sa për të blerë ndonjë gjë dhe rikthehen sërish në banesa. Banorë të dyzuar nga frika për jetën e tyre, por edhe për hashashin e kultivuar në bodrumet e shtëpive, me të cilin prej shumë kohësh kanë siguruar jetesën. Nga ana tjetër policia, RENEA dhe FNSH, në bazë të një plani operativ të mirorganizuar përpiqen të detyrojnë kriminelët të dorëzohen dhe të mos ketë viktima. Ky është Lazarati që nga pasditja e së dielës, raporton balkanweb.
Një banor i Lazaratit i ka bërë thirrje policisë përmes News 24 të bëjë kujdes. Banori thekson se dy persona po qëllojnë me snajper në drejtim të efektivëve të policisë. “Policia të tregojë kujdes, dy persona qëllojnë me snajper të llojit amerikan. Personat që qëllojnë janë Virjon dhe Ploretar Hallaci. Jeta e policëve është në rrezik, nëse i afrohen më shumë fshatit”, ka deklaruar ai banor. Ndërkohë edhe mbrëmjen e sotme në Lazarat vazhdojnë të shtënat me armë kundrejt policisë.
Nga të dhanë më të fundit të policisë, bëhet me dije se është mundësuar asgjësimi i rreth 70 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 11 tonë e 300 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Gjatë orëve të pasdites vetëm gjatë kontrollimit të shtatë banesave u sekuestrua një sasi prej 1.5 ton kanabis. Po ashtu, gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe dy laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni.















