Nga Besjan Pesha
Brenda 1 jave disa video amatore bënë xhiron e mediave sociale, ku tregoheshin policë të cilët rrihnin qytetarë të pambrojtur për arsye banale. Nëse do të ishte mes nesh, opozita zyrtare do të kishte thirrur urgjentisht si fillim në interpelancë ministrin e Brendshëm. Do të organizonte një tubim me mbështetësit e vet përpara Drejtorisë së Policisë, për të kërkuar urgjentisht shkarkimin e përgjegjësve dhe do të propozonte një nismë ligjore në Kuvend, që të parandalonte raste të tjera. Ndërkohë që menjëherë do t’iu ishte gjendur fatkeqëve me avokatë, mbështetje morale dhe ndihmë sociale, me qëllim që ata të mos ndiheshin vetëm e të cenueshëm.
Brenda një jave, një vajzë 7-vjeçare humbi jetën si pasojë e të ftohtit e nga pamundësia për t’u ngrohur, një qytetar vrau veten sepse nuk paguante dot faturën e energjisë, ndërsa një prind arrestohet sepse rilidhi energjinë për t’i siguruar djalit të vet që vuan nga astma, oksigjenin jetik. Nëse do ishte mes nesh, opozita zyrtare do të kishte vrapuar në shtëpitë e këtyre personave dhe do t’i kishte marrë nën mbrojtje sociale. Do të kishte thirrur urgjent në interpelancë ministrat e Energjisë dhe të Mirëqenies dhe do t’i kishte telendisur në Kuvend. Do të kishte propozuar një iniciative ligjore, e cila të mundësonte garantimin e energjisë elektrike për shtresat e pamundura, për ata të cilët rrezikojnë jetën nëse nuk kanë energji, etj. Do të kishte thirrur tubime në qytetet përkatëse dhe do të kërkonte përgjegjësi nga autoritetet lokale për këto ngjarje.
Muajin që shkoi, media investigative zbuloi se Shqipëria energjinë e tepërt të prodhuar nga KESH nuk ia shiste drejtpërdrejt OSHEE-së, por ia kalonte asaj me ndërmjetësimin e disa kompanive serbe. Në dukje një aferë, në fakt e kopsitur nga ana ligjore, ky veprim iu kushtoi qytetarëve shqiptarë 2.3 milionë euro. Nëse do të ishte mes nesh, opozita zyrtare do të kishte thirrur në interpelancë ministrin e Energjisë së bashku me drejtorin e OSHEE-së. Do t’u kishte kërkuar llogari për çdo cent dhe do e kishte zbardhur këtë çështje për çdo shqiptar të thjeshtë. Do të kishte propozuar ndryshimet përkatëse në ligj, kështu që kjo të mos kishte gjasa të ndodhte më, dhe do të organizonte tubime përpara OSHEE-së për të kërkuar përgjegjësi. Sigurisht që nuk do të humbiste shansin që ta lidhte këtë ngjarje me pamundësinë e një numri gjithnjë e në rritje qytetarësh për të paguar faturat e kripura të energjisë, duke vënë në dukje faktin se ndërsa fshati i tyre digjet, krehri punon më shumë se kurrë në flokët e pushtetit.
Ka rreth një muaj që mjekët dhe infermierët, me plot të drejtë i kanë shpallur luftë ministrit të Shëndetësisë, Beqaj. Ky i fundit ka vendosur që nëpërmjet një procedure të çuditshme dhe aspak transparente, të pabazuar në ligj dhe që bie era aferë, të testojë për njohuritë e tyre të gjithë personalin mjekësor. Nëse do të ishte mes nesh, opozita zyrtare do të kishte thirrur urgjentisht në interpelancë ministrin Beqaj. Do të kishte kërkuar që kjo marrëzi të merrte fund dhe do të kishte zbardhur për të gjithë qytetarët shqiptarë arsyet e vërteta të testimit. Do të kishte organizuar përkrah mjekëve edhe gjithë potencialin e opozitës, për ta shndërruar këtë në një betejë jo vetëm të mjekëve me një ministër, por të qytetarëve kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit. Do të kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit dhe paralelisht do të zbardhte për qytetarët çështjen e mbetjeve spitalore, të cilat trajtohen si mbeturina urbane duke na rrezikuar jetën, çështjen e Check up-it 120 milionë euro, etj. Do t’u kishte shkuar këtyre çështjeve deri në fund dhe mund të dilte nga kjo betejë me një kokë ministri në tavolinë.
Nëse do të ishte mes nesh, do të kishte përkrahur nismën e shoqërisë civile për të amenduar ligjin për taksat kombëtare, kështu çmimi i naftës do të ulej në parametrat e rajonit, ose do të propozonte siç premtoi nismën e vet ligjore. Nëse do ishte mes nesh, do të kishte aq shumë punë dhe aq shumë çështje për të trajtuar, saqë do të flitej veç për të. Sepse kjo qeveri shumë, por shumë pak gjëra është duke i bërë siç duhet.
Asgjë nga këto më sipër nuk kam dëgjuar të bëjë. Ndoshta ndonjë veprim nga sa më sipër edhe e ka bërë, por vetëm fakti që unë si qytetar aktiv dhe i interesuar nuk jam në dijeni, mjafton për ta bërë nul. Prandaj po pyes edhe një herë, me shpresë se do marr përgjigje. Ku është opozita?
















