Ballkanasit u përballën me afrikanë dhe fituesi qëndronte në lojë për një vend në 1/8-at. Kroatët bëjnë poker golash dhe luajnë gjithçka me Meksikën
Ishte ndeshje brenda-jashtë. Kush humbiste do të bënte gati valixhen dhe do të kthehej në shtëpi me përfundimin e ndeshjeve në grup. Kroacia dhe Kameruni kërkonin me çdo kusht fitoren për të mbajtur hapin e Meksikës dhe Brazilit dhe për të ëndërruar fazën e 1/8-ave. Dhe pas katër golave të shënuar, është Kroacia ajo që do të kërkojë kualifikimin në një ndeshje direkte me Meksikën. Ndeshja e fundit Brazil-Kamerun është thjesht për statisitikë.
Kroacia do ta nisë mjaft mirë ndeshjen, ndërsa që në minutën e 11-të do të jetë Iviça Oliç ai që do të shënojë dhe do t’u japë ballkanasve avantazhin. Kameruni kërkon të reagojë, por është pa ide në fushë, ndërsa shpejt do të bjerë edhe pre e nervozizmit. Aleks Song do ta shfaqë këtë në një ndërhyrje ndaj Mario Manxukiçit dhe kjo do t’i kushtojë kartonin e kuq. Për Kroacinë gjithçka bëhet më e lehtë, ndërsa do ta kthejë ndeshjen në një goleadë. Ivan Perisiç, lojtari i Volfsburgut, do të dyfishojë avantazhin, ndërsa më pas do të lërë firmën te golat e realizuar dhe Manxukiç. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut, i skualifikuar në ndeshjen e parë ndaj Brazilit, realizon dy herë, në fillim në minutën e 61-të dhe më pas në të 73-ën. Kroacia i afrohet shpesh edhe golit të pestë, por gjithçka do të përfundojë 4-0. Kameruni i bashkohet Spanjës dhe Australisë në listën e ekipeve të eliminuara.
Kamerun – Kroaci 0-1
Shënues: Oliç 11’, Perisiç 48’, Manxukiç 61’, 73’
Kameruni: Itandje, Asu-Ekoto, N’Kulu, M’Bia, Shejdu (Nunkeu 46’), Enoh, Matip, Song, Çupo-Moting (Salli 75’), Mukanxho, Abubakar (Uebo 70’)
Trajner: Volker Finke
Kroacia: Pletikosa, Srna, Pranjiç, Korluka, Lovren, Oliç (Eduardo 69’), Perisiç (Rebiç 78’) Modriç, Samir (Kovaçiç 72’), Rakitiç, Manxukiç
Trajner: Niko Kovaç
Gjyqtar: Pedro Proença (POR)
Kartela të verdha: Eduardo
Kartelë e kuqe: Song
Spektatorë: 39,982
Renditja, grupi A
Skuadra N F B H Gol P
Brazil 2 1 1 0 3-1 4
Meksikë 2 1 1 0 1-0 3
Kroaci 2 1 0 1 5-3 3
Kamerun 2 0 0 2 0-5 0