Nasho Bakalli
Qëllimi i politikës së jashtme Shqiptare është paqja dhe bashkëpunimi i gjithanshëm me interes të ndërsjellë në Ballkan, Europë dhe më gjerë në botë. Ditët e dedikuara në Berlin për afrimin e mëtejshëm të popujve të Ballkanit Perëndimor filluan dhe mbaruan në një mënyrë, e cila la shumë njerëz gojëhapur për mirë, dhe pak njerëz të mekur. Në ballë të këtyre të fundit ishin bashkëkryetarët e PD-së. Kur i pamë ata? Kur, për shembull, Berisha në FB shkroi se “Edi Rama me mazhorancën e tij … po zhbën me shpejtësi ato standarde të arritura me mundim dhe sakrifica ”. Sa i takon qytetarit, ai i kuptoi mirë rëndësinë dhe përfitimet që i vijnë nga marrëveshjet e begatshme dhe legjitime të qeverisë me botën e jashtme. Natyrisht, qytetarët e dinë se Berisha nuk i beson fjalët e veta, por flet ashtu, pasi shpreson se duke e poshtëruar punën e mirë të qeverisë, do të grumbullojë rreth vetes përkrahës politikë! Dimë gjithashtu se ai nuk është aq i vogël nga mendja sa të besojë se Gjermania e organizoi Samitin e Berlinit për të përçarë ballkanasit, dhe për t’iu çjerrë maskën politikave të qeverisë “Rama”. Berisha e kupton shumë mirë se pikërisht e kundërta është e vërteta. Ai e ka fare të qartë se, kurrë si sot nuk ka patur një vendim unanim të shteteve anëtare të BE-së për nevojën e mbajtjes së samitit të Berlinit; dhe kaq përkushtim strategjik për ndërprerjen e të gjitha mërive mes shteteve të Ballkanit. Ky realitet historik ua prishi terezinë Berishës dhe Bashësm, aq sa e shpallën veten, me gojën e tyre, kundërshtarë të marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-gjermane, kundërshtarë të Samitit të Berlinit dhe të mirëkuptimit ndërballkanik. Cili ishte qëndrimi i masmedias? Ajo theksoi njëzëri lakminë, xhelozinë e verbër politike të bashkëkryetarëve të PD-së, duke ia hequr kështu petët lakrorit me qëllim që publiku i brendshëm dhe ai i jashtëm të kuptonin lehtësisht se dy bashkëkryetarët e PD-së duke e përfolur kryeministrin, synuan të errësojnë përparimet e qeverisë në marrëdhëniet me jashtë. Çfarë tregon ky qëndrimi unik i qytetarëve, i qeverisë dhe i masmedias përkundrejt Samitit të Berlinit? Tregon se bashkëkryetarët e PD-së janë një rrezik për vendin nëse ata si individë marrin përsëri fuqinë në dorë, ose nëse ia dalin që me asete çudibërëse, si kryeoligarkë që janë, të influencojnë opinionin deri në atë pikë sa të mpijnë rolin aktiv të qeverisë për zbatimin e nismave dhe të vendimeve të Samitit të Berlinit. Po të rrafshohej qëndrimi unik, do të zhdukej edhe garancia më e mirë e vendit tonë për anëtarësim në BE, interesat e së cilës i përkrahin edhe bashkëkryetarët. Cilat janë ato dy ngjarje, mbase edhe më tepër, që sigurojnë mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjithanshme të Shqipërisë me shtetet e Ballkanit? Ato janë: fitorja plebishitare e Aleancës së Majtë më 23 qershor 2013 dhe reformat e miratuara në Kuvend për ndarjen administrative territoriale, pushtetin e së drejtës, ekonominë, etj. Në qoftë se nuk do të kishte ndodhur 23 qershori 2013, ndërkombëtarët do të vazhdonin të besonin si më parë se në Shqipëri pasiguria njerëzore, ekonomike, shtetërore, mjedisore, sociale mbeten rrezikshmëri potenciale.
Edhe pas fitores së 23 qershorit 2013, në qoftë se qeveria nuk do të punonte me ngulm të paprerë për vënien në jetë të reformave, të rekomanduar edhe nga ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të ishte thërritur në Samitin e Berlinit as edhe si vëzhguese. Shembujt e mirë që shohim dhe prekim deri tani në jetën e vendit janë produkte të Rilindjes. Ndërkohë, bashkëkryetarët e PD shfaqen dëshpërimisht të pagatshëm të nxjerrin mësime nga vendi dhe roli dinjitoz i Shqipërisë në Samitin e Berlinit. Për çfarë u lypen mësimet krerëve të opozitës? Për të krijuar brenda vetes një frymë opozitare parimore, konstruktive, dhe projekte alternative qeverisëse, si, për shembull: “Projekt i PD për politikën e jashtme”, i cili ta konkurrojë në metodë edhe në stil, me kompetencë profesionale, politikën e jashtme aktuale të qeverisë shqiptare. Por siç thotë populli: kryetari i PD ra, përpara se me le si i tillë.
















