Nazim RASHIDI
Në rrethana të tjera me të vërtetë do të ishin sipërfaqësore konstatime si ajo që “dija është forca e kohës tonë”, sepse një gjë e tillë do të duhej të dihet. Por në kohën e degjenerimit të sistemit të vlerave, ku gjithçka është për tu dyshuar, në këtë fillim viti shkollor, them se është një postulat që duhet përsëritur dhe përsëritur. Sepse duhet ti mësojmë fëmijët dhe të gjithë të tjerët se vetëm me dije reale mund të kenë sukses në jetë.
Kjo është kaq e rëndësishme sa edhe vetë liria dhe jeta e jonë si shoqëri. Për ndryshe do të vdesim. Po aq tragjike është.
Pse?
Në rrjetet sociale qarkullonin me të madhe dy njoftime. I pari njoftim që s’ka njeri që s’është shokuar kur e ka parë, është zbulimi i një personi që punonte si mjek me diplomë falco. Sa vetë kanë bërë vizitë tek ai? Sa të tjerë mbase janë marrë më qafë, në mos kanë vdekur, nuk dihet, por nga reagimet më duhet të besoj se edhe kjo ka ndodhur.
I dyti për një drejtor gjimnazi, i cili më parë mezi se kishte kaluar gjimnazin, e kush e di si e ka marrë diplomën. I cili as që di të shkruajë, e ku më të lexojë. Dhe sot është drejtor i këtij gjimnazi. Reagimet janë aq të mëdha sa që po bindem se akuzat mund të jenë reale sepse ata që e njohin bëjnë çmos mos ti çojnë fëmijët në atë shkollë. Ky drejtor, s’ka vrarë njeri si mjeku mbase, por më keq mund të bëjë gjenocid ndaj një brezi të tërë.
(Uroj dhe lutem që dy njoftimet në rrjetet social të jenë vetëm rendje për më shumë klikime)
Është aq banale dhe aq e pabesueshme se ende mund të ketë të tillë që mendojnë se aq lehtësisht, pa asnjë mund, veç me një letër (diplomë kot) mund të bëjnë ç’të duan!!!
Por ajo që më tmerron në këtë fillim të vitit shkollor është se sa të paaftë dhe falsifikatorë janë pjesë e sistemit, sa të tillë janë tashmë mësues, arsimtarë, profesorë… Njerëz të cilët jo që nuk kanë dije, por kush e di se me çfarë i helmojnë të rinjtë. Në vend që të jenë frymëzimi, ata po shndërrohen në varrosës të së ardhmes. Sa do që të tingëllojnë të ashpra këto fjalë, duhen thënë sepse është më tmerrues faji, për ata që e bëjnë, duke vënë në krye të shkollave, apo dhe si mësues, vrasës pa mëshirë të së ardhmes tonë të përbashkët.
Në rrjetet sociale qarkullonte edhe një letër, e shkruar në vitin 1830 nga Presidenti i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln. Doja të veçoja disa pjesë për ta cituar. E rilexoj dhe e rilexoj dhe s’mund të veçoj asnjë pjesë. Them se në këtë vit shkollor nuk ka mesazh më të mirë si për mësuesit ashtu dhe për nxënësit, dhe po e përcjell të plotë:
“Mësues i nderuar,
Djali im sot e fillon shkollën.
Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.
Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.
Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.
Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.
Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.
Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.
Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.
Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.
Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.
Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.
Mësojeni t’i përqeshë cinikët.
Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.
Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.
Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.
Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.
Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarësinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.
Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.
Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.
Po ritheksoj se letra është shkruar në vitin 1830.
Kurse unë sot uroj që në kohën e teknologjisë dhe zhvillimit mos të harrojë askush se DIJA ËSHTË FUQI. Se të jesh i informuar, TË KESH INFORMACION DO TË THOTË SE KE LIRI, se të nxënit, të mësuarit, se EDUKIMI SJELL ZHVILLIM. Uroj që këtë ta kenë parasysh, ministrat, kryetarët e komunave, drejtorët që zgjedhin mësuesit. Uroj që mësimdhënësit vetë të kenë përgjegjësi. Uroj!















