E pyetur nga gazetarët malazezë për zhvillimet e pakëndshme në prag, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë të zhvilluar dje në Beograd, ministrja Kodheli u shpreh se gjithmonë do të ketë ujëra të trazuar.
“Kur isha e re, këngëtari im i preferuar ka qenë Paul Simon dhe ka qenë një këngë e tij, e Simon & Garfunkel ‘Bridge Over Troubled Water Lyrics’.
Gjithmonë do të ketë ujëra të trazuar, e rëndësishme është të ndërtojmë ura. Dhe muzika e sporti janë urat më të mira që ne mund të ndërtojmë”, tha Kodheli.
Kodheli merr pjesë në Ministerialin Gjithëpërfshirës Rajonal
Në Budva të Malit të Zi po zhvillohet Ministeriali Gjithëpërfshirës Rajonal. Në kuadër të këtij ministeriali, sot u zhvillua takimi i Kartës së Adriatikut, SHBA – A5. Temat kryesore që po diskutohen janë ato që kanë të bëjnë me zhvillimet më të fundit në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli po drejton këtë ministerial pasi vendi ynë mban presidencën e radhës. Kodheli falënderoi të pranishmit, përfaqësues të vendeve anëtare të Aleancës, vendeve aleate, si dhe SHBA për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë kësaj nisme të rëndësishme rajonale.
Duke u ndalur te temat e diskutimit të këtij ministeriali, i cili mbyll një axhendë aktivitetesh të rëndësishme për vitin 2014, znj. Kodheli tha se bashkëpunimi rajonal në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes përballë kërcënimeve të ndryshme është shumë i rëndësishëm për vendet tona. Ky ministerial, i cili vjen menjëherë pas Samitit të Uellsit, diskuton mbi sfidat më të rëndësishme në fushën e Mbrojtjes dhe kapacitet e përbashkëta.
Në fund të këtij takimi të pranishmit dolën me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës shprehën vendosmërinë e tyre për të inkurajuar paqen, stabilitetin, duke bashkëpunuar ngushtësisht me aleatët strategjik, si në aspektin politik ashtu dhe në fushën e mbrojtjes.















