Kryeministri Edi Rama konsideron se flamuri shqiptar i shpalosur mbrëmjen e djeshme në Beograd nuk mund të konsiderohet një provokim, në një fushë futbolli të mbushur me flamuj të Serbisë dhe tifozë që thërrisnin në kor “Vritini shqiptarët”. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, shefi i qeverisë shqiptare tha se incidenti në stadiumin e Beogradit “ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë, por ishte një shfaqje plotësisht e dënueshme dhune dhe racizmi”. Zoti Kryeministër, përpara se flasim për vizitën tuaj apo zhvillime të tjera në Shqipëri, 24-orëshi i fundit është mbizotëruar nga lajmet dhe komentet për ndeshjen e mbrëmshme Serbi – Shqipëri, ndërprerja e së cilës është cilësuar si një ngjarje e rendë. Ju si e shihni atë që ka ndodhur? Në radhë të parë, më lejoni që të jem krenar edhe në rastin që ju më jepni për të komunikuar për 24 – orët e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për c’ka na dhuruan dje djemtë e kombëtares, të cilët për sa kohë pati futboll, praktikisht, ishin superiorë me lojë dhe me raste. Kështu që, për sa i takon Shqipërisë dhe për sa na takon ne shqiptarëve, besoj që s’kemi asnjë lidhje me çfarë ndodhi. Që, ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë, por që ishte edhe një shfaqje jashtëzakonisht e shëmtuar dhe plotësisht e dënueshme, dhune dhe racizmi. -Zoti kryeministër, rreth ndeshjes nuk kanë munguar as komentet e politikanëve. Kryeministri serb është cituar sot të ketë thënë, po citoj, se “shpalosja e flamurit në ndeshjen e së martës në Beograd ishte një aksion i organizuar dhe një provokim i rëndë politik. Apo se “synimi i ekstremistëve shqiptarë ishte që të shkelnin krenarinë e serbëve, por ne e ruajtëm fytyrën”. Ju keni planifikuar një vizitë në Beograd javën e ardhshme, a mendoni se ngjarja e mbrëmshme mund të hedhë hije mbi axhendën e vizitës tuaj? A pritet të ndikojë ajo gjatë vizitës tuaj? Së pari, dua të ndaj me ju momentin e futjes në ekran të flamurit fluturues, të cilin unë e ndoqa bashkë me një grup njerëzish këtu, në Harvard, që ishin nga shumë vende. Ajo shfaqje provokoi ilaritet, në kuptimin që, të gjithë qeshën dhe ju duk diçka e bukur. Pra larg zonës së nxehtë të urrejtjes, larg zonës së nxehtë të historive të së shkuarës, askush nuk u ndje i provokuar nga shfaqja e atij flamuri, në të moment. Por, fatkeqësisht, siç e thatë edhe ju, deri edhe autoritetet më të larta serbe thonë se janë ndjerë të provokuar. Dhe, përsëri, kjo është thjeshtë dhe vetëm për të shprehur keqardhjen e thellë që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në një fushë ku kishte mijëra flamuj serbë, të mund të përdoret si një alibi për të gjithë atë që ndodhi. Që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe i gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët”, deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadiumi nën një trysni të madhe psikologjike, përveçse edhe nën një dhunë të pashembullt antisportive. Unë mendoj që edhe në këtë rast, ne si shqiptarë duhet të ndjehemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vetë më të egër dhe në formën e vetë më negative, si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, që ne jemi të vendosur ta lëmë pas dhe që ne e dënojmë duke qenë të bindur se futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet se çfarë ndodh në një fushë futbolli. -Shtypi ndërkombëtar sot, duke iu referuar burimeve nga Serbia, thotë se vëllai juaj është arrestuar përkohësisht nga policia serbe dhe më pas është liruar, i dyshuar për lidhje me objektin fluturues. Cili është komenti juaj për ketë? Përsëri keqardhje dhe përsëri shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi. Që nuk tregon asgjë tjetër, përveçse përpjekjen për t’u kacavjerrë dhe për t’u kapur pas një alibie tërësisht të montuar. Dhe për ta përdorur atë, më kot, si një “gjethe fiku” për të fshehur lakuriqësinë me të cilën u shpalos dje në stadium urrejtja e të shkuarës dhe ajo urrejtje që, praktikisht, e ka penguar boll rajonin tonë që të shkojë përpara. S’ka asgjë të vërtetë në të gjithë këtë, por ka vetëm një argument më shumë për të vërtetuar se sa larg realiteti dhe sesa larg qëllimeve tona të përbashkëta ishte ajo ç’ka u shfaq dje dhe ajo ç’ka u komentua sot, fatkeqësisht edhe nga autoritete të larta në Serbi. Por Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel. Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur të jenë modeli i paqes, të jenë modeli frymëzues i të vështruarit nga e ardhmja, të jenë lokomotiva e transformimit të rajonit tonë nga një arenë luftërash, gjakderdhjesh, konfliktesh, urrejtje 100 vjet me radhë në një oaz bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik e social për të gjithë popujt tanë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















