Presidentja mund të kërkojë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e forcave politike për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Por, edhe dy blloqet politike kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë lëndën në Gjykatën Kushtetuese, në rast se nuk miratohen propozimet e tyre.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pritet që të mërkurën të vendosë nëse do ta dërgojë edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë radhë, ajo mund të kërkojë interpretimin e kësaj gjykate lidhur me të drejtën e forcave politike për të propozuar kandfidatin për Kryetar të Kuvendit.
Burime nga Presidenca kanë bërë të ditur për Top Channel se Presidentja Jahjaga, sapo të kthehet nga vizita në Kroaci, do të mbledhë këshilltarët e saj për ta diskutuar këtë [ështje.
Sipas këtyre burimeve, Presidentja, në konsultim me miqtë ndërkombëtarë, do të të përpiqet ta menaxhojë situatën në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të evitojë tensionet midis grupeve parlamentare.
Frika se në seancën konstituive të Kuvendit mund të ketë tensione, madje edhe përplasje, buron nga deklaratat që kanë shoqërëruar mosmarrëveshjet lidhur me caktimin e ulëseve për grupet parlamentare.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë se grupit parlamentar të partisë së tij i takojnë ulëset në pjesën qendrore të sallës së Kuvendit si dhe e drejta për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Por, kjo është kundërshtuar ashpër nga liderët e bllokut opozitar, të cilët janë bashkuar në një grup parlamentar me më së shumti deputetë.
Ndërkohë ka pasur deklaratë të deputetëve të të dyja grupeve parlamentare, të cilat kanë rritur tensionet që kanë lindur në skenën politike të Kosovë që prej krijimit të bllokut opozitar që synon të dërgojë në opozitë PDK-në, e cila ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 8 qershorit, por nuk ka siguruar numrin e mjaftueshëm të votave për të zgjedhur qeverinë e re.
Secili prej dy blloqeve politike në Kuvend ka paralajmëruar se, në rast se nuk miratohen propozimet e tyre, do të dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të pamundësonte krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, së paku për disa javë.
















