Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i ka hedhur poshtë parashikimet ndjellakëqia se të enjten, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, mund të ketë përplasje, për shkak të pakënaqësive lidhur me caktimin e ulëseve të grupeve parlamentare.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka theksuar se deputetët do të evitojnë përplasjet, qoftë edhe duke qëndruar në këmbë, gjatë gjithë mandatit, nëse do të jetë e nevojshme.
Në postimin e tij, kryetari i partisë më të madhe të koalicionit që po quhet opozitar, ka shkruar:
“Kush dhe pse parasheh përplasje në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 17 Korrik?!
Në këtë seancë do të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës. Asnjëri nga ne deputetët nuk kemi marrë mandate për përleshje, por për të realizuar në mënyrën më të mirë interesin e qytetarit.
Prandaj janë të pa baza dhe qëllimkëqija të gjitha fjalët dhe parashikimet që ditëve të fundit po dalin në media se seancën konstituive të Kuvendit e pret konflikti ndërmjet deputetëve.
Nëse është e nevojshme ne do të qëndrojmë në këmbë, jo një seancë por gjatë gjithë mandatit, por nuk do të lejojmë që të rrezikohet organi më i lartë legjislativ i Kosovës , që të prishet imazhi dhe të devijohet roli i tij.
Megjithatë, apelojmë që të gjithë ne të respektojmë Rregulloren e Kuvendit, vendimet e Kryesisë së Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Isa Mustafa”.
















