Vizita e paralajmëruar e kryeministrit Rama në Beograd, më 22 tetor, pritet të shënojë një marrëdhënie të re mes tre shteteve Shqipëri; Kosovë dhe Serbi. Kështu u theksua gjatë një tryeze të organizuar sot në Tiranë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim me temë: “Drejtësia dhe Siguria, si faktor bashkëpunimi rajonal”.
Për zv. ministrin e Jashtëm, Sokol Dervishaj kjo është vizita e parë që nga viti 1946ndaj dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi mbi të gjitha tregon edhe qasjen evropaine ndaj rajonit, duke treguar se ka ardhur koha që të pranohet nga të gjithë, edhe nga Serbia, realiteti i ri në Kosovë.
Edhe Arian Dyrmishi ekspert për çështje të sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim tha se më shumë se qeveria, shoqëria civile po përpiqet në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Duke u ndal tek vizita e Ramës në Beograd, Dyrmishi tha se kjo vizitë është një mundësi e mirë për të rigjallëruar marrëdhëniet mes vendeve tona, dhe duke u përqendruar tek mundësitë që ofron bashkëpunimi dhe perspektiva e përbashkët europiane.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim thekson se zhvillimet e fundit si dialogu mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian kanë krijuar premisa dhe kushte të reja të cilat e bëjnë të nevojshëm rivlerësimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Nga ana tjetër megjithë mosmarrëveshjet dhe dallimet e njohura të dy vendet kanë treguar se mund të bashkëpunojnë nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik.
Konferenca u zhvillua në kuadër të një projekti 3-vjeçar bashkëpunimi me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë dhe Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë, i cili mbështetet nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.














