Një ditë pas arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani, kreu i Kuvendit Ilir Meta shpreh mbështetjen për prokurorinë dhe gjyqësorin për të hetuar deri në fund këtë skandal.
“Qendrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar lidhur me skandalin që ka të bëjë me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, që do të thotë mbështetje prokurorisë dhe gjyqësorit për të hetuar deri në fund këtë skandal dhe për të vendosur të gjitha pikat mbi i dhe natyrisht ne do të respektojmë vendimet e drejtësisë”, tha Meta.
Lidhur me shkarkimin e Fullanit si guvernator nga Kuvendi i Shqipërisë, Meta tha se maxhoranca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet, duke punuar për konsolidimin e besimit në pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.
“Maxhoranca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe gjithmonë do të punojë për të konsoliduar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe për të rritur integritetin dhe besueshmërinë e saj dhe do të bashkëpunojë gjithmonë ngushtë për këtë qëllim dhe me partnerët tanë kryesorë ndërkombëtare, si me FMN, Bankën Botërore dhe Këshillin e Europës”, vijoi Meta.
Ai tha se reforma në drejtësi do të vijojë me bashkëpunimin e të gjitha institucioneve kushtetuese. Këto deklarata Ilir Meta i bëri gjatë një aktiviteti organizuar për 10-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
















