Nga Gilman Bakalli
“Kush jam unë?” mbetet pyetja më përvëluese e shqiptarëve. Mjafton t’i hedhësh një sy gazetave të përditshme për t’u bindur se loja më popullore e këtij tranzicioni mbetet loja e etiketimeve të tipit “unë jam demokrat”, “ai është komunist”, “ti je mysliman”, “ne jemi katolikë”, “ju jeni të pafè”, “ata janë anti-myslimanë, anti-katolikë” e kështu me radhë loja vazhdon pafundësisht derisa nga personaliteti i çdo shqiptari të jetë shtrydhur në formën e një epiteti të vetëm i gjithë lëngu i personalitetit të tij kompleks. Loja fillon lart me politikën, ku zgjedhjet dhe emërimet bëhen kryesisht mbi bazën e kritereve identitare: kaq veriorë e kaq jugorë në qeveri, kaq % gra e kaq % burra në parlament, kaq katolikë e aq myslimanë në Këshillin e Qarkut etj., etj. Dhe ulet poshtë në nivel përditshmërie kur shkrimtarë, artistë, gazetarë e publicistë rreken ta shtrydhin tjetrin nëpër kallëpe të ngushta identitare. I fundit që provoi të luante publikisht me lojën e shtrydhjes së kompleksitetit kombëtar në pika identiteti fetaro-krahinor ishte Maks Velo. I cili, siç besoj, duhet ta ketë ndjerë dhimbshëm mbi kurriz peshën e rëndë të natyrës mbrojtëse dhe sulmuese të identitetit. Identiteti është mbrojtës dhe sulmues njëkohësisht. Më saktë: mbrohet duke sulmuar.
Si kategori mbrojtëse u shërben atyre që e konceptojnë identitetin si një pronë që duhet mbrojtur nga sulmet e Tjetrit. Si një enë balte, ku fshihet mistershëm esenca e individit apo e bashkësisë. Si një shenjtëri, të cilën mjerë ai Maks Velo që guxon ta prekë. Aq sa konceptohet dhe përjetohet pasivisht si diçka e rënë nga qielli dhe e futur tinëzisht tek njeriu në formën e një substance të brendshme të pandryshueshme, aq sulmues e agresiv mundet me qenë edhe reagimi i identitetit. I tërhequr në vetvete, identiteti vepron si fuqi inerte që premton stabilitet aty ku gjërat kanë dalë jashtë kontrolli, kurse i drejtuar jashtë vetes, identiteti shndërrohet në një forcë, e cila gjurmon kudo të huajën dhe e regjistron atë si mallkim. Detyra e identitetit është kufizimi. Bota për të është një tokë anonime, në të cilën ai ngul gardhiqet. Sepse vetëm duke kufizuar, vetëm duke përjashtuar, ai arrin të transmetojë siguri për një komunitet apo shoqëri të pasigurt, të trazuar nga jeta dhe të papriturat sociopolitike. Sa më shumë të jetë “koha për ndryshim”, sa më shumë partitë të garojnë me ndryshimin, si grepi më i mirë për pushtet, aq më i nevojshëm është identiteti si garant i qëndrueshmërisë.
Identiteti në Shqipëri është gjithnjë në modë dhe do vazhdojë të ngelet në modë, sepse gjithçka mund të argumentohet përmes identitetit. Identiteti mund të përligjë arbitrarisht faktin se pse një qeveri kur vjen në pushtet zbraz administratën duke e mbushur me ithtarët e saj, sepse partisë i duhet të bëjë luftë mbrojtëse në mbrojtje të identitetit të saj politik; identiteti mund të përligjë edhe refuzimin e shteteve europiane për zgjerim, sepse identiteti i këtyre të fundit mund të ndjehet i kërcënuar nga identiteti i vendeve fqinjë. Gjithçka mund të përligjet përmes identitetit dhe statusit të tij logjikisht të kërcënuar.
Identiteti në Shqipëri është gjithnjë në modë dhe do vazhdojë të ngelet në modë. Ai është një armë e komuniteteve numerikisht të vogla kulturore e fetare, të cilat, të frikësuara se mos zhduken në detin e madh të komuniteteve numerikisht dominante, e ushqejnë histerikisht kultin e diferencës. Por në të njëjtën kohë, identiteti është një armë edhe në duart e komuniteteve numerikisht të mëdha kulturore e fetare, të cilët ushqejnë dëshirën e lavdërueshme për t’i kthyer vëllezërit në shtëpinë e Zotit të tyre. Qeveritë e shteteve të varfra e duan identitetin për ta mbajtur popullsinë të nënshtruar edhe pa ia siguruar mirëqenien e premtuar, ashtu si edhe qeveritë e shteteve të pasura e duan identitetin sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e kufijve. Shkurt, identiteti është gjithmonë në modë dhe, sa më fiktiv të jetë, aq më shumë adhurohet ai.















