Rrëshqitja e dheut e rrjedhimisht edhe e një pjese të asfaltit në rrugën Prishtinë- Mitrovicë, saktësisht afër kazermës “Adem Jashari” ka shkaktuar dëme, riparimi i të cilave do të kushtojë rreth 130 mijë euro.
“Në N2 në pjesën e cila është në afërsi të Kazermës “Adem Jashari ” mes dy rrethrrotullimeve, janë duke u zhvilluar punimet në sanimin e rrëshqitjes së rrugës sipas kontratës “Sanimi i rrëshqitjes së Rrugës Nacionale N2, segmenti Rrethrrotullimi N2-N9, drejtimi Mitrovicë (pjesa afër kazermës Adem Jashari)” mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Operatorit Ekonomik NNP SHKOZA F07″-PRISHTINE në vlerë 129,991.47 euro”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Infrastrukturës.















