Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka thënë, të martën, se Federica Mogherini është duke zhvilluar një proces të fshehtë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai e as kabineti i tij nuk kanë dhënë detaje më shumë.
Këtë e tha në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë, kur i është kërkuar një qëndrim lidhur me kërkesën e Mogherinit për ta hequr taksën ndaj importeve serbe, si parakusht për rifillimin e dialogut.
Kreu i ekzekutivit tha se dialogu është duke u zhvilluar: “Mogherini e ka vazhduar një dialog si gjysmë të fshehtë. Ajo është mirë ta nxjerrë në dritë atë dialog. Pra, mos ta mbajtë të fshehtë”, tha kryeministri Haradinaj. “Le ta nxjerrë në tavolinë dhe le të vazhdojë dialogu si i ka hije”.
Meqë kryeministri nuk ka folur më gjatë për këtë, gazeta Koha Ditore ka kërkuar më shumë informacione nga këshilltarja e tij për media, Donjeta Gashi. Por, ajo nuk iu ka dhënë përgjigje pyetjeve që kërkonin informacione për kohën kur Haradinaj është vënë në dijeni për këtë dialog të fshehtë dhe për aktorët mes të cilëve është zhvilluar dialogu; për autoritetet që e kanë përfaqësuar Kosovën në këtë proces; dhe për atë nëse kryeministri pajtohet me një dialog të këtillë.
Shumica kundër pazareve territoriale
Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka organizuar konferencën – Zëri i Popullit rreth “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fillim të kësaj konference, ku po marrin pjesë, veç tjerësh, krerë institucionalë dhe liderë të partive politike, u prezantua sondazhi që i jep përgjigje disa prej dilemave kryesore që e karakterizojnë dialogun e fazës finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Norvegjia kundërshton gjithëpërfshirjen e partive në delegacion
Gjetjet i ka prezantuar Labinot Greiçevci nga RIDEA duke thënë se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në formatin aktual.
Ai tha se kanë testuar tre skenarë me qytetarë duke i pyetur ata rreth marrëveshjeve të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
“Skenari i parë ka të bëjë me status-quon. Vetëm 16 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin status-quon aktuale mes Kosovës dhe Serbisë. Skenari i dytë ka të bëjë me Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes defakto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar. Dhe skenari i tretë ka të bëjë me korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale dhe anëtarësimit në OKB. Ky skenar ka hasur në 30 për qind mbështetje nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Greiçevci.