Në vitin 2005 u përurua ujësjellësi i ri i Fushë Krujës. Për ndërtimin e tij, Banka Islamike akordoi një fond prej 4,5 milionë dollarësh.
Për të kryer punimet, tenderin e fitoi firma turke “Gintash”, që nga ana e saj, punën ia besoi dy firmave të tjera nënkontraktore. Sipas projektit, qyteti do të kishte 24 orë ujë pa ndërprerje, por realisht nuk ka më tepër se një orë e gjysëm dhe madje me defekte, që herë – herë shkojnë për ditë të tëra.
Të pyetur për këtë situatë, drejtuesit aktualë të Ujësjellësit thone se nuk kanë gjetur asnjë projekt për punimet e kryera dhe asnjë lloj dokumenti financiar që të tregojë se çfarë është bërë me këtë ujësjellës. Madje, siç shprehen ata, nga 3 puse që duhet të ishin në punë, 2 nuk funksionojnë fare sikurse nga dy pompat, prej të cilave funksionon vetëm një. I vetmi pus që funksionon është ai i kohës së monizmit.
Të gjitha këto enigma rreth këtij investimi kanë bërë që furnizimi me ujë i popullatës të mos ketë ndryshim me kohën para investimit.
















