Filmi i regjisorit Isa Qosja “Tri dritare dhe një varje”, me skenar të Zymber Kelmendit, do ta ketë premierën botërore me datën 19 gusht në edicionin e 20-të të festivalit të filmit në Sarajevë, i cili do të mbahet prej 15 deri më 23 gusht 2014. Filmi është ftuar të marrë pjesë në konkurrence zyrtare të këtij festivali.
Filmi “Tri dritare dhe një varje” i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës është prodhim i kompanisë CMB productions me producent Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala. Në film luajnë: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja, Aurita Agushi, Leonora Mehmetaj, Xhevat Qorraj, Basri Shala-Virusi, etj. me mysafir special, aktoren e mirënjohur Mirjana Karanovic, ndërsa drejtor i fotografisë është Gokhan Tiryaki, i njohur për punën e tij në filmat e regjisorit të mirënjohur turk Nuri Bilge Ceylan.
Filmi është prodhuar në koproduksion me kompaninë “NiKo Film” nga Gjermania. Lushja, e luajtur nga Irena Cahani, një mësuese e fshatit, e shtyrë nga ndërgjegjja e saj, i tregon në intervistë një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra tjera nga fshati janë dhunuar gjatë luftës. Si pasoje e kësaj, burrat e fshatit kërkojnë largimin e saj nga fshati, me arsyetimin se ajo i ka turpëruar, transmeton Express. Filmi si temë trajton pasojat e dhunimeve të luftës në familje dhe në rrethin ku jetojnë, pasoja të cilat viktimizojnë femrat në vazhdimësi. “E konsideroj një vlerësim pjesëmarrjen e filmit “Tri dritare dhe një varje” në festivalin prestigjioz të Sarajevës. Aty është tani epiqendra e ngjarjeve kulturore të kinematografisë në Ballkan.
Pjesëmarrja në konkurrencë zyrtare është avancim i filmit Kosovar” u shpreh regjisori Qosja. Ndërkaq drejtori i QKK-se Arben Zharku është shprehur:” Pas një pune të gjatë dhe me një ekip të mrekullueshëm, premiera në Sarajevë është një mirënjohje për të gjithë”. Ndërsa producentët thanë se: “ftesa për pjesëmarrje në konkurrencë zyrtare në festivalin e filmit në Sarajevë, e rikonfirmon bindjen tonë se ky film ka potencial.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















