Në kuadër të veprimtarive të Ditëve kundër dhunës në familje, ambasadori Florian Rauning tha se dhuna në familje nuk është vetëm abuzim fizik, rrahje me grushte apo me shkelma. Sipas tij, ajo përfshin edhe ofendimet, kërcënimet për dëme fizike, përdhunimin dhe një sërë sjelljesh kontrolluese. Rauning tha se gratë janë viktimat kryesore, por jo të vetmet. Edhe fëmijët dhe burrat mund të jenë objekte të dhunës në familje. Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig, gjatë veprimtarive në kuadrin e Ditëve kundër dhunës në familje, organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Bashkinë e Elbasanit dhe Policinë e Shtetit, nga data 20 deri më 22 tetor. Fushata, e cila filloi në qershor 2014 në Korçë e që do të vijojë edhe në qytete të tjera, mbështetet nga Mbështetja Suedeze për Ministrinë e Brendshme/Policinë e Shtetit për Policimin në Komunitet dhe nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim. Deklarata e plotë e Kryetarit të Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig Kam kënaqësinë të hap sot në Elbasan një nismë të rëndësishme të Prezencës së OSBE-së dhe Policisë së Shtetit shqiptar: një fushatë kundër dhunës në familje në Shqipëri. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tonë për Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe për Drejtorinë e Policisë së Elbasanit që po mirëpresin këtë aktivitet. Kjo fushatë është një zgjerim i punës ndërgjegjësuese që kemi bërë gjatë muajve të fundit me studentë nga e gjithë Shqipëria. Ajo përfshin nxënës dhe punonjës policie, si dhe parlamentarë, organizata jofitimprurëse, punonjës socialë dhe të fushës së shëndetësisë, në një sërë veprimtarish që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth dhunës në familje – çfarë është dhuna, kush mund të ndihmojë dhe çfarë duhet bërë nëse ata apo një i njohur apo e njohur e tyre bien viktimë e dhunës. Dhuna në familje nuk është vetëm abuzim fizik – rrahje me grushte apo me shkelma – ajo përfshin edhe ofendimet, kërcënimet për dëme fizike, përdhunimin dhe një sërë sjelljesh kontrolluese. Gratë janë viktimat kryesore, por jo të vetmet. Edhe fëmijët dhe burrat mund të jenë objekte të dhunës në familje. Sipas sondazhit të INSTAT-it të vitit 2013, afërsisht 60% e grave shqiptare të pyetura në këtë sondazh kanë qenë në një moment të jetës së tyre viktimë e dhunës në familje; 53% ishin “gjatë kohës së sondazhit” në një marrëdhënie abuzive.[1] Vetëm 8% e këtyre grave kishin kërkuar ndihmë. Pas disa muajsh angazhimi dhe trajnimesh të organizuara nga Prezenca e OSBE-së në Korçë, policia dhe shërbimet sociale na kanë informuar se është rritur numri i grave që kërkojnë ndihmë. Qëllimi ynë është të sigurojmë vazhdimësinë e kësaj tendence dhe përhapjen e saj në mbarë vendin. Dhuna në familje mund të ndodhë kryesisht pas dyerve të mbyllura, por ajo nuk është çështje private dhe familjare. Ajo është e pamoralshme dhe e paligjshme. Secili prej nesh e ka detyrim që të bëjë çfarëdo që të mundet për ta parandaluar këtë lloj dhune e për t’u dhënë mundësi viktimave që të marrin ndihmën dhe mbrojtjen që u nevojitet dhe për të garantuar ndjekjen penale të këtyre krimeve. Shqipëria e ka një kuadër ligjor për të asistuar viktimat, për t’i mbrojtur ato, duke i ndihmuar në të njëjtën kohë që të rindërtojnë nga e para jetët e tyre. Ekzistojnë një sërë strukturash dhe autoritetesh që mund t’i ndihmojnë ata që preken nga dhuna në familje. Disa prej tyre si Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, janë këtu me ne sot. Ashtu si Prezenca e OSBE-së, ato janë të gjitha të angazhuara për ta parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës në familje. Si shprehje të këtij angazhimi, Prezenca ka hartuar një udhëzues praktik për viktimat e dhunës në familje, për të ndihmuar ata që punojnë me viktimat dhe për të asistuar viktimat në marrjen e ndihmës, mbrojtjes dhe drejtësisë. Ky udhëzues përdoret tashmë prej më shumë se gjashtë vjetësh. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet fakti se dhuna në familje nuk mund të adresohet vetëm përmes mjeteve ligjore. Kjo nuk është punë vetëm e policisë dhe gjykatave. Ne duhet ta ndryshojmë mentalitetin që e pranon dhunën ndaj grave dhe fëmijëve. Ne duhet të mos e pranojmë në asnjë mënyrë idenë se tradita apo kultura i bëjnë disa sjellje të papranueshme të duken disi të natyrshme. Kultura e heshtjes duhet të marrë fund, tani!
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















