Me hyrjen në fuqi gjatë shtatorit të ligjit të ri “Për kompensimin e ish të përndjekurve politikë”, është shtuar intensiteti i kompensimeve nga Ministria e Financave. Dje burimet zyrtare nga ky dikaster njoftuan se po vijon procesi i dëmshpërblimit për ish të dënuarit dhe ish të përndjekurit politikë. Në këtë kuadër, dje u publikua lista me 295 ish të përndjekur që tashmë do të përfitojnë këstin e dytë. Të njëjtat burime njoftuan se janë në shqyrtim edhe mbi 190 dosje të tjera. Gjithashtu ato sqarojnë se ndër kategoritë me përparësi për t’u kompensuar financiarisht janë gratë që kanë kryer vite burgu gjatë regjimit komunist dhe që jetojnë aktualisht. Një tjetër kategori është dhe ajo e personave mbi 75 vjeç, që janë ende gjallë, por dhe ata që vuajnë nga sëmundje të rënda. Një tjetër kategori që përfiton janë dhe ata persona që janë gjallë dhe që kanë fëmijë nën moshën 18 vjeç, por dhe ata që nuk jetojnë, të cilët kanë fëmijë të mitur. Ndërsa kategoria e fundit që do ketë prioritet për t’u kompensuar në radhët e para janë dhe të gjithë ata persona që janë gjallë dhe s’i kanë mbushur ende 75 vjeç. Kështu, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar, bëhet e ditur se të gjithë të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme pranë Drejtorisë së Dëmshpërblimeve në Ministrinë e Financave, të grupuara sipas kategorive të përshkruara në ligj. Dokumentacioni përfshin certifikatën personale, që duhet të jetë jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit; nr. llogarie bankare në lek, në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky është dokumentacioni bazë, por të tjera dokumente duhen edhe sipas prioritetit që kanë kategoritë përfituese. Kështu, nëse janë të sëmurë, duhet të sjellin dokumentacionin e nevojshëm që e vërteton këtë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















