Kishte kaluar ora 21 e së martës kur Sali Berisha bëri një deklaratë bombë: Arben Frroku, i dënuari me burg përjetë për vrasjen e komisar Dritan Lamajt ishte arrestuar në Holladë, por policia shqiptare nuk dërgon të dhëna.
“Arben Frroku thuhet se është ndaluar në Holandë. Saje Qorri nuk çon të dhëna, sepse duhet që Arben Frroku, të cilin e nisi Edi Rama, të cilin edhe kur e ndaluan në kufi midis Kroacisë dhe Malit të Zi, e liroi. Tha: është i rregullt ky. Ka frikë se i vjen këtu dhe i nxjerr të gjitha gjërat”.
Ishte një nga ato deklarata që duken si shashkë për të bërë tym e, në tymnajë, të lidhë qeverinë dhe veçanërisht ministrin e Brendshëm me çdo kriminel e organizatë krimiale që vepron në Shqipëri.
Por dy ditë më vonë, të enjten, policia shqiptare e konfirmoi: Arben Frroku ishte kapur me një pasaportë të falsifikuar greke, që mbante emrin Renato Tsepa, i lindur në Korçë.
Policia thotë se konfirmimi se Renato Tsepa ishte Arben Frroku i erdhi asaj zyrtarisht nga Interpol Haga, në orën 17.15 minuta të së enjtes. Pranon gjithashtu se “Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka patur disa komunikime me homologët në Hollandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare”, siç thuhet në njoftimin për shtyp.
Por kur kanë nisur këto komunikime, përpara apo pas deklaratës së Berishës, mbrëmjen e të martës?
Një burim i policisë tha për lapsi.al se Arben Frroku ishte ndaluar më 6 mars të këtij viti, më shumë se 1 muaj e gjysmë më parë, gjatë një kontrolli rutinë të policisë holandeze në Amsterdam. Efektivët kishin kontrolluar dokumentat e identitetit dhe kishin dyshuar mbi pasaportën që mbante emrin Renato Tsepa. Më vonë kishin zbuluar se ajo ishte e falsifikuar.
Për këtë arsye ai është arrestuar, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat e verifikimit të indetitetit të tij të vërtetë. Nga krahasimi i të dhënave në sistemin e brendshëm të Intepolit ka rezultuar se Renato Tsepa në të vërtetë ishte Arben Frroku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me burg përjetë.
Policia holandeze ka nisur menjëherë procedurat për të njoftuar autoritetet shqiptare dhe për të kërkuar informacion më të detajuar.
Është kërkuar skeda policore e Frrokut bashkë me shenjat e gishtave. Nga krahasimi i tyre është provuar përfundimisht se i ndaluari ishte Arben Frroku.
Këtë version mbi identifikimin e Frrokut mbështet zyrtarisht edhe policia shqiptare. “Verikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët hollandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Kur policia holandeze dhe ajo shqiptare po shkëmbenin informacion zyrtar në përpjekje për të vërtetuar identitetin e të ndaluarit, ish kryeministri Berisha dha lajmin se Frroku ishte ndaluar, me qëllimin për të vënë përpara përgjegjësisë policinë se nuk po vepronte kundër një të dënuari, që sipas tij ishte favorizuar nga Edi Rama për të lënë qelinë dhe nga Saimir Tahiri për të kaluar kufirin para se Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ta dënonte me burg përjetë në mungesë.
Nga të dhënat që disponon lapsi.al rezulton se policia shqiptare ishte vënë në lëvizje nga partnerët holandezë disa ditë përpara deklaratës së Berishës. Por a po i vononte ajo procedurat e verifikimit ashtu siç pretendon ish kryeministri? Partia Demokratike pohoi sot se ishte deklarata e ish -kryeministrit Berisha ajo që e detyroi policinë të dërgonte të dhënat në Holandë.
Një burim tjetër i policisë sqaroi për lapsi.al se procedurat për të tilla raste lënë hapësira për zvarritje, por nuk mundi të konfirmonte nëse ishte vepruar kështu në rastin Frroku.
Pas konfirmimit se Frroku është ndaluar, policia njoftoi se “në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës”.
Ky proces parashikohet jo i lehtë. Pezullimi nga gjykata holandeze e marrëveshjes për ekstradim në vitin 2014 të shfrytëzohet nga Arben Froku për ta zvarritur ekstradimin.
Atij mund t’i shërbejë edhe një vendim i Gjykatës së Apelit në Hagë, e cila pezulloi ekstradimin e një vrasësi shqiptar drejt Shqipërisë, i dënuar me 7 vjet burg, me argumentimin se autoritetet shqiptare nuk ofronin siguri të mjaftueshme për të dënuarin.
















