Megjithëse kishte shpallur një dëgjesë publike për Kullën me stadium, kryeministri Rama ka përdorur badigardët privatë të Hotel Tiranës për të penguar gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që kërkonin të njiheshin me projektin abuziv të arkitektit Italian Marco Cassamonti.
“Këtu është pronë private” i kanë kumtuar gorrillat e 15-katëshit Fatos Lubonjës dhe Gjergj Bojaxhiut, përpara sallës ku kryeministri bënte prezantimin e projektit. Ndërsa Ylli Rakipi (në foto i ndaluar nga badigardi hotelit ndonëse me ftesë) i tregonte ftesën nga Kryeministria, badigardëve privatë ata shtynin njerëzit e grumbulluar përpara shkallëve, ndërsa rojet e tij e futën Edi Ramën në sallë nga hyrja e ashensorit të shërbimit.
“Edhe Berisha në 21 Janar kështu u ruajt me badigardë privatë përpara se të vriste. E mbani mend kjo qe akuza kryesore e opozitës së asaj kohe” i tha mediave gazetari Andi Bushati.
Një ditë më parë në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit, deputeti i mazhorancës Fidel Ylli i kishte ftuar gazetarët dhe përfaqësuesit e shqërisë civile publikisht të shkonin në sallë dhe të sqaroheshin për pikëpyetjet lidhur me projektin.
“Por në një shtet që toka publike e stadiumit i falet privatit, ku veprat publike i ndërtojnë të njëjtit njerëz, dhe ku edhe kryeministri i prezanton projektet nën mbrojtjen e gorrillave private, nuk mund të presësh gjë tjetër”, tha aktivisti Eljan Tanini.
Tashmë është e qartë, se çfarë po u bën Edi Rama shqiptarëve. Vjedhja vazhdon, qe komenti i një aktivisti që u largua nga shkallët e 15-katëshit pa hyrë dot në dëgjesën e hapur.
















