EDI RAMA
Shqiptarët nuk kanë dot asnjë qasje nëpërmjet celularit tek asnjë lloj gjykate dhe tek asnjë lloj gjykatësi, nuk kanë shans të marrin të drejtën e pronës së tyre pa dhënë lekë, nuk kanë shans të marrin drejtësi për djalin e tyre të vrarë, apo vajzën e tyre të përdhunuar, por, përkundrazi, rivriten dhe ripërdhunohen në dyert e gjykatave
Nëse i hedhim një sy gjithë grafikëve të zhvillimit të jetës së këtij vendi në këto 20 vjet, një grafik, pa asnjë dyshim do të bënte dallim të madh nga gjithë të tjerët dhe që do të ishte grafiku i drejtësisë dhe i perceptimit të publikut për drejtësinë. Janë afro 90% e shqiptarëve, që besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe se sistemi i drejtësisë nuk funksion. Janë mbi 80% e shqiptarëve që, rregullisht kur pyeten, pohojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe se për të fituar një gjyq nuk ka fort rëndësi sesa ke të drejtë, por ka rëndësi në radhë të parë, sesa para ke për të paguar. Janë mbi 90% e shqiptarëve që rregullisht përgjigjen se duhet një reformë rrënjësore, një operacion rrënjësor për sistemin e drejtësisë dhe praktikisht për çrrënjosjen e kancerit, që e ka mbërthyer sistemin e drejtësisë. E besoj se nuk e teproj, në qoftë se them se janë 100% e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, e miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk besojnë se në Shqipëri ka drejtësi dhe të cilët besojnë se drejtësia në Shqipëri është e korruptuar.
Nuk ka as më të voglin dyshim, që është e rrallë për një vend sot, një vend në mes të Europës për më tepër, që sa herë komentohet nga partnerët, sa herë komentohet nga opinionistë apo analistë të huaj, sa herë komentohet në gjuhë të huaj, komentohet si një vend me drejtësi thellësisht të korruptuar. Kam frikë se nuk gaboj nëse them se ata që na shohin ne, njerëzve të politikës dhe të drejtësisë, më shumë na perceptojnë si pjesë të problemit, sesa si pjesë të zgjidhjes. Flas për publikun e gjerë, që sinqerisht do të doja shumë që të merrte mesazhin se ka një vullnet të përbashkët dhe ka një ambicie të përbashkët që i kalon kufijtë e partive, që i kalon të gjitha dallimet mes nesh, për të operuar me kurajë këtë sistem kanceroz, por, pa dashur të jem pesimist, kam frikë se e kundërta është e vërtetë. Sidoqoftë, ne erdhëm me shumë kënaqësi dhe me vullnet të plotë në këtë forum të organizuar nga Presidenti i Republikës.
E kemi shumë të qartë që më shumë sesa një përpjekje e përbashkët për të adresuar një problem të madh, të përbashkët, kombëtar, përpjekja në vijimësi e viteve të fundit dhe posaçërisht e vitit të fundit, ka qenë një përpjekje në dy drejtime të ndryshme. Nga njëra anë, përpjekja për të adresuar me ndjesinë e një emergjence të madhe kombëtare, problemin e rëndë të sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër, përpjekja për të frenuar këtë adresim në emër të Kushtetutës, të ligjit, të lirive, të të drejtave, të gjitha këto nocione, pa as më të voglin diskutim, legjitime. Por s’ka më keq sesa kur kthehen në nocione penguese, për atë që në fakt është problemi themelor që kemi sot, pavarësia e sistemit të drejtësisë nga Kushtetuta, pavarësia e sistemit të drejtësisë nga ligji, pavarësia e sistemit të drejtësisë nga çdo e drejtë dhe liri e njerëzve që nuk e marrin dot drejtësinë në dyert e gjykatave, në një vend ku drejtësia është mall që blihet dhe nuk është e drejtë që të takon. Ne e kemi të gjithë vullnetin ta adresojmë këtë problem dhe ta adresojmë së bashku. Për më tepër, kemi fatin që nuk jemi vetëm në këtë ushtrim të vështirë, jashtëzakonisht të vështirë, por të domosdoshëm për t’ia dalë mbanë. Sepse kemi edhe asistencën e çmuar të komunitetit ndërkombëtar dhe posaçërisht të BE-së, përmes një ekspertize shumë të kualifikuar dhe bazuar në një eksperiencë, që tanimë është një thesar për ne.
Sigurisht që, kemi idetë tona për këtë reformë, kemi propozimet tona për t’i adresuar problemet e sistemit në 360 gradë, por padyshim, kjo, në radhë të parë, sipas nesh është një temë ku politika duhet të krijojë kushtet që të gjithë të mund të shprehen dhe të ndërveprojnë, ku politika duhet të krijojë kushtet që njerëzit e sistemit në radhë të parë, gjykatësit, prokurorët, avokatët, noterët, të gjithë me radhë të mund të shprehen dhe të ndërveprojnë. Padyshim, nga ana tjetër, në këtë ndërveprim, edhe ndërveprimi i të gjithë aktorëve politikë ka vlerën e vetë, ndërkohë që prania e ekspertizës ndërkombëtare është një garanci, besojmë ne, për ta çuar procesin në rrugën e duhur, me vullnet dhe me kurajë. Ky është vizioni ynë për metodën e kësaj reforme. Kjo nuk mund të jetë një reformë e njëanshme, por kur flasim për reformë gjithëpërfshirëse duhet të kemi parasysh në radhë të parë, njerëzit e sistemit dhe pastaj, sigurisht, edhe të gjitha forcat e përfshira në procesin politik. Në rast se ky takim vlen për diçka, vlen si një moment i shprehjes së vullnetit të mirë. Por nga ana tjetër jemi të gjithë dëshmitarë, se askujt, asnjëherë nuk i ka munguar as mundësia dhe nuk i kanë munguar as fjalët për ta shprehur vullnetin e mirë, në 20 vjet. Dhe ja ku kemi sot, ku s’ka më keq se asnjëherë tjetër në 20 vjet, kur vjen puna te drejtësia dhe te mënyra si funksion sistemi ynë i drejtësisë. Tjetra që padyshim përbën një detyrim për të qenë së bashku, është e vërteta e madhe dhe e hidhur, por le të na shërbejë si një ilaç për t’u kuruar dhe për t’u zgjuar, se ta harrojmë të gjithë ne, së bashku, që BE-ja e pranon Shqipërinë, me këtë sistem drejtësie.
Ne mund të fshihemi pas Kushtetutës e mund t’i tregojmë njëri-tjetrit ligjet, e mund të bëhemi zëdhënësit më të zhurmshëm të lirive dhe të drejtave të gjykatësve të korruptuar dhe të anëtarëve të korruptuar të KLD-së, por kjo nuk do të na ndihmojë të shkojmë në Europë. Kjo vetëm do të ushqejë debatin shterpë mes nesh, ndërkohë që BE-ja, dyert nuk ka për të na i hapur kurrë, nëse ne nuk do provojmë dy gjëra themelore: e para, që drejtësia nuk është mall që shitet dhe që blihet dhe e dyta, se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. E fundit, sigurisht që nuk është një pozitë e lehtë, pozita e shumicës sonë, e dalë nga zgjedhje që, në radhë të parë në këndvështrimin tonë, kanë pasur shtysën për një Shqipëri të drejtë, në kushtet e një padrejtësie të kthyer në sistem vertikal në të gjitha nivelet dhe jo thjesht e vetëm tek prokuroria, gjykatat apo sistemi i drejtësisë në vetvete. E, ne që kemi këtë mandat jemi dhe shumë më të ndjeshëm, normalisht, ndaj gjithë reaksionit gjithmonë e më të madh të njerëzve të pakënaqur ndaj nesh, në radhë të parë, për mënyrën si funksionon sistemi i drejtësisë. Dua ta them shumë hapur, ne nuk kemi alibi dhe ne nuk do të kërkojmë alibi.
Pa as më të voglin dyshim, ne në radhë të parë i detyrohemi atyre të cilët na kanë votuar për një Shqipëri më të drejtë dhe paralelisht me ta i detyrohemi gjeneratave të tjera të këtij vendi, që nuk meritojnë të mbeten jashtë dyerve të BE-së, se në Shqipëri ka një korporatë që shet e blen drejtësinë: korporata e prokurorëve dhe e gjykatësve të korruptuar të këtij vendi. Kam parë sesi menjëherë ka reagime ndaj kësaj qasjeje dhe më vjen shumë keq, por kjo është e vërteta e hidhur e vendit tonë të përbashkët. Fakti që ka përjashtime është për të vënë duart në kokë dhe jo për të qenë të përmbajtur në shprehjen e kësaj të vërtete. Fakti që ka prokurorë dhe gjykatës të ndershëm, të cilët luftojnë përditë për të respektuar veten dhe profesionin e tyre, është për të vënë duart në kokë, se janë përjashtim që përforcon rregullin. Ndërkohë që, e vërteta e tmerrshme është që shqiptarët nuk kanë dot asnjë qasje nëpërmjet celularit tek asnjë lloj gjykate dhe tek asnjë lloj gjykatësi, nuk kanë shans të marrin të drejtën e pronës së tyre pa dhënë lekë, nuk kanë shans të marrin drejtësi për djalin e tyre të vrarë, apo vajzën e tyre të përdhunuar, por, përkundrazi, rivriten dhe ripërdhunohen në dyert e gjykatave.
Fjala e kryeministrit mbajtur në forumin “Reformimi i sistemit gjyqësor në Shqipëri”
















