Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili doli në mbrëmjë përpara gazetarëve për të publikuar disa dokumente, që sipas tij, vërtetojnë që Tom Doshi gënjen kur thotë se nuk e njeh Petrit Çinarin.
Vasili tha se deputeti i qarkut të Shkodrës i ka dhuruar një apartament bashkëshortes së Çinarit në muajin gusht, pikërisht 3 javë para se të ngrinte akuzat për tentativë vrasjeje kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
“Po ju bëj publike certifikatën familjare të Petrit Çinari. Zoti Çinari i datëlindjes 1963, lindur në Skrapar, është i martuar me zonjën Alma Çinari, e datëlindjes 1980, lindur në Libofshë të Fierit.
Personi i panjohur nga Doshi, pa asnjë lidhje, na rezulton se gruas së tij, Almës, Tom Doshi i ka bërë dhuratë një apartament rreth 80 m2 me nje vlerë 39 mijë e 400 euro, sipas kësaj kontratë shitblerje dhe kjo dhuratë ka ndodhur në gusht të vitit 2014, 3 javë përpara se Tom Doshi të deklaronte për atentatin që ishte përgatitur t’i ndodhte.
Kemi të bëjmë me një mashtrim dhe fakte të rënda flagrante për të cilat komentet do të ishin të panevojshme,” tha Vasili.
Emri i Petrit Çinarit doli në skenë nga një shkrim i gjatë i Tom Doshit një ditë më parë në Facebook ku thuhet se Çinari, një ish-oficer ushtrie është kontaktuar nga babai i Ilir Metës që i ka kërkuar eleminimin e Doshit për llogari të kreut të Kuvendit.
Në mëngjes, Vasili tha se do bëjë publike fakte tronditëse.
Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:
Jam përsëri sot përpara jush për të bërë publike fakte të reja të cilat nxjerrin në dritën e diellit skandalin e gjoja atentatit dhe mashtrimit publik për çështjen e prezumimit të këtij atentati nga Tom Doshi. Opinioni u njoh dje me gjoja një vrasës të ri, i cili quhej Petrit Çinari. Ne e kemi bërë të qartë edhe paradite, dhe unë po e përsëris tani para jush që kishim të bënim me një person me probleme të theksuara psikike të provuara në kartelën e tij klinike, e cila është tashmë e njohur dhe e bërë publike nga media shqiptare dhe ishte trajtuar nga institucioni të specializuar të mjekësisë shqiptare për këto probleme të theksuara shëndetësore.
Por ç’lidhje ka me ngjarjen ky personazh dhe ç’qëndrim është mbajtur lidhur me të? Tom Doshi ka deklaruar dje që nuk e njeh këtë dëshmitar dhe thotë, po e citoj: “Jam informuar dje nga një i njohuri im në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se është bërë një kallëzim penal nga Petrit Çinari, një ish-oficer”, etj., dhe në fund e mbyll: “Ky person me guximin e lavdërueshëm ka shkuar me vullnetin e tij të lirë dhe ka denoncuar këtë porosi të re vrasjeje”. Pra, siç e kuptoni dhe siç më ndjek i gjithë opinioni publik, nuk e njeh një njeri të tillë, por rastësisht ka marrë vesh që dikush ka vajtur dhe ka denoncuar këtë porosi vrasjeje, pra është gjetur një vrasës i ri.
Por si qëndron e vërteta lidhur me këtë çështje? Po ju bëj publike certifikatën e gjendjes familjare të z. Petrit Çinari. Z. Çinari, i datëlindjes 1963, lindur në Gjerps të Skraparit është i martuar me znj. Alma Nasi Çinari, e datëlindjes 1980 lindur në Libofshë të Fierit. Personi i panjohur nga Tom Doshi, pra pa asnjë lidhje, krejtësisht i paditur prej tij, ç’na rezulton? Na rezulton që z. Tom Doshi këtij personi, pra znj. Alma Çinari, i ka bërë dhuratë një apartament prej rreth 80 metra katrorë me një vlerë prej 39 mijë e 400 euro sipas kësaj kontrate shit-blerjeje, që unë po bëj publike dhe kjo dhuratë ka ndodhur pikërisht në gusht të vitit 2014, tre javë përpara se z. Tom Doshi do të deklaronte të ashtuquajturën vrasje që ishte përgatitur, apo atentat që ishte përgatitur t’i ndodhte.
Ju të gjithë jeni tashmë shumë të qartë që këtu kemi të bëjmë me një mashtrim të paskrupullt në dritën e diellit dhe me fakte të rënda dhe tepër flagrante, për të cilat komentet e mia të mëtejshme besoj se do të ishin të panevojshme, sepse janë të qarta dhe tepër të thjeshta. Por dalja në dritë e këtyre fakteve që përsa i takon peshës dhe rëndësisë së tyre janë tepër të rënda, kërkojnë në radhë të parë dhe mbi të gjitha që prokuroria shqiptare të thellohet dhe të zbardhë deri më një, këtë skandal korrupsioni të nivelit tepër të lartë të dëshmitarëve të fabrikuar si gjoja vrasës, të vënë në shërbim dhe të denoncuar nga Doshi dhe Berisha me qëllimin e vetëm për të montuar një gjoja plan atentatesh të paqenë me qëllim tepër të qartë të destabilizimit dhe të mashtrimit të opinionit publik për qëllime shumë të rënda që shkojnë kundër interesave të vendit dhe të shqiptarëve. Sigurisht që unë po zbuloj sot një fakt tepër të rëndë, por sigurisht që nuk është i fundit. Është vetëm një në morinë e fakteve të reja, gjithashtu tepër të rënda, të njëpasnjëshme, të cilat e thellojnë skandalin dhe dimensionin e përmasat e tij, por ky denoncim ju siguroj që do të vazhdojë të bëhet, sikurse edhe sonte, edhe në orët që vijojnë me dokumente dhe me prova të reja.















