Hapja e dosjeve është rrikthyer sërish në fokus, ku deputetja demokrate Mesila Doda e mbron mjaft mirë këtë tezë. Përkundrejt paralajmërimeve nga ana e Bashës, ajo është shprehur e prerë se nuk ka ndërmend që të tërhiqet.
Doda ka reaguar pas paralajmërimeve të kreut të PD-së, se ajo do të përjashtohej nëse thyen vendimin e partisë dhe shkon në Kuvend. Ajo ka nënvizuar se nuk tërhiqet dhe do e mbrojë me çdo kusht në Kuvend hapjen e dosjeve.
“Të dashur miq! Ju falenderoj nga zemra për mesazhet tuaja mbështetëse.
Asnjë shqetësim!!! Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionin sot është në Kuvendin e Shqipërisë dhe do mbrohet me çdo kusht nga deputetët dhe studentët e dhjetorit. Asnjë tërheqje!
Spiunët, sovjetët dhe terroristët e kuq duhet të largohen, se kanë çerek shekulli që i marrin frymën këtij vendi.
Pas disa ditësh do kemi mundësi të festojmë së bashku 8 dhjetorin. Le ta kthejmë në një ditë reflektimi mbi të kaluarën dhe të gjejmë së bashku rrugën e së vërtetës duke projektuar një të ardhme larg dhunës, paligjshmërisë, korrupsionit dhe klientelizmit. E ardhmja duhet të ndërtohet ndryshe”, është shprehur ajo.
















