Dje u sekuestrua në Kolumbi ngarkesa më e madhe e drogës që është kapur ndonjëherë, plot 8 ton kokainë. Droga me vlerë miliona Euro u bllokua gjatë një operacioni anti-drogë të autoriteteve kolumbiane.
Sot, të tjera detaje janë bërë publike dhe është përmendur sërish Shqipëria. Mediat italiane shkruajnë sot se ngarkesa e madhe e kokainës ishte e destinuar të mbërrinte në Itali, për bandat shqiptare që veprojnë në shtetin italian duke bashkëpunuar me “Ndraghetën”.
“Kokaina ishte e destinuar të mbërrinte në Itali, në sajë të marrëdhënieve të shkëlqyera midis trafikantëve kolumbianë dhe familjeve mafioze shqiptare”, shkruajnë mediat italiane.
Në këtë trafik është i përfshirë edhe grupi mafioz “Ndragheta”, të cilët bashkëpunojnë me shqiptarët dhe më pas bëjnë të mundur transportin e kokainës në të gjithë Evropën përmes Shqipërisë dhe shteteve të tjera fqinje.
Sipas hetuesve, shqiptarët janë ata që drejtojnë qarkullimin më të madh të lëndës narkotike nga Kolumbia, e më pas futet në lojë ‘Ndragheta’. Kokaina e kapur në Kolumbi, ishte fshehur në një plantacion bananesh në qytetin bregdetar Turbo. Droga i përkiste grupit kriminal të njohur me emrin Klan Usuga















