“Torturat që mi kanë bërë në Likoc në vitin 1998 kanë bërë që unë ta lëshoj Kosovën. Ende e ndjej veten të rrezikuar”. Kështu ka deklaruar “Dëshmitari A” në dëshminë e parë të tij dhënë para trupit gjykues në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”.
“Dëshmitari A”, i cili ka thënë se gjendet jashtë Kosovës, nëpërmjet video lidhjes, ka thënë se gjatë kohës sa kishte qëndruar në të ashtuquajturin burg në Likoc të Drenasit, ishte maltretuar.
“Mua më kanë maltretuar ‘Tigrat e Zi’, Sylejman Selimi, vëllezërit Demaku. Unë e kam parë emrin tim në një regjistër dhe kam qenë i treti në listë për t’u pushkatuar”, ka thënë më tej ky dëshmitar, raporton KTV.
Ai ka treguar se ditën e parë që ishte dërguar në Likoc, ishte intervistuar nga Muharrem Xhemajli, i cili ishte i shoqëruar nga Rexhep Selimi. Ndërkaq, sa i përket Sami Lushtakut, “Dëshmitari A” ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur probleme me të, derisa ka pranuar se asnjëherë nuk ka qenë ushtar i UÇK-së, transmeton Koha.net.
Avokatët mbrojtës të Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut kanë deklaruar se dëshmitari është kundërthënës me deklaratat e dëshmitarëve tjerë.
Ndërkohë, kryetari i Trupit Gjykues, Darius Selicki, ka pohuar se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën dhe do të vazhdohet me dëshminë e “Dëshmitarit A”.