“Thuaji kryetarit tënd, të mos e përmendë më emrin tim. Nuk do t’i ketë mirë punët me mua. T’i bëjë mirë llogaritë!”. Voltana Ademi, deputete e Partisë Demokratike, duket se ka shtangur, kur një person, të cilin e identifikon si Emiljano Shullazi, që mundi t’i mbijetojë një atentati në afërsi të mbikalimit të Qafë Kasharit, i është drejtuar me këtë kërcënim në adresë, sipas saj të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
E gjithë ngjarja është zhvilluar në një ambient publik dhe, pa asnjë mëdyshje, deputetja demokrate e ka denoncuar rastin në Prokurorinë për Krime të Rënda. Zyrtarisht, nga institucioni qendror i akuzës konfirmohet fakti, se në protokollin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është depozituar një kallëzim penal nga deputetja Voltana Ademi, e cila pretendon se ka marrë kërcënime për Lulzim Bashën.
“GSH” shkruan se ligjvënësja demokrate, referon faktin se personi që i është afruar në një ambient publik dhe ka bërë kërcënimin, identifikohej prej saj si Emiljano Shullazi. Ky i fundit është një emër i njohur për policinë e drejtësinë, madje i shumëpërfolur ditët e fundit, për shkak se mundi t’i shpëtonte për “fije të perit” një atentati në fshatin Bërxull, në periferi të Tiranës, teksa po kthehej nga Fushë-Kruja në drejtim të Tiranës. Zyrtarët e prokurorisë konfirmuan gjithashtu se materiali i është referuar Policisë së Tiranës, për të kryer verifikimet përkatëse.















