Ditën e sotme do të zhvillohet një ceremoni përkujtimore në nderim të katër viktimave të Demonstratës së 21 janarit 2011.
Pavarësisht se kanë kaluar 4 vite nga Demonstrata e 21 janarit 2011, procesi vazhdon të jetë i hapur dhe ende nuk ka autorë për katër shtetasit shqiptarë që u vranë në bulevardin e kryeqytetit në 2011-ën. Mësohet se kryeministri i vendit, Edi Rama, do të presë sot familjarët e 4 viktimave për të përkujtuar të rënët dhe për të folur për drejtësinë e pavendosur ende. Pritet të zhvillohet edhe një ceremoni e shkurtër përkujtimore. Për shkak të kësaj date dhe ceremonisë që do të zhvillohet, bëhet e ditur se kryeministri Rama ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Kongresin e Vjenës “Poëer of Regions”, ku ishte parashikuar që ai të mbante fjalën e hapjes. Teksa procesi për gjetjen e autorëve të 4 viktimave të 21 janarit ende nuk është mbyllur, familjarët e Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtos, shpresojnë se fajtorët do të ndëshkohen.

Çfarë ndodhi dhe kush demonstroi më 21 janar?
Është cilësuar si “E Premtja e Zezë e Shqipërisë”, ndërkohë që për të ende nuk ka emra fajtorësh, emra të atyre që shkelën këmbëzën, nuk janë mbyllur dosjet dhe nuk është shpjeguar pse demonstrata u bë padashje e dhunshme.
Sipas hetimeve të bëra së fundmi, ka rezultuar se shtysat kryesore të kësaj demonstrate ishin varfëria, papunësia, korrupsioni dhe padrejtësitë sociale. Gjithçka nisi në orën 14:00 kur protestuesit përshkuan në këmbë rrugën nga sheshi “Skënderbej” deri para godinës së Kryeministrisë. Fillimisht pati thirrje kundër kryeministrit të asaj kohe dhe më pas filloi përleshja me forcat e policisë të vendosura në mbrojtje të Kryeministrisë në pjesën e jashtme të saj. Mjaft media në ato kohë shprehen se demonstrata devijoi kur demonstruesit tentuan të hynin në Kryeministri dhe forcat e rendit u përpoqën t’i ndalonin ata. E të tjera media shprehen se situata doli jashtë kontrollit kur turma u provokua nga forca të shumta të policisë që rrethonin Kryeministrinë. Thuhet se gazi lotsjellës dhe automjetet zjarrfikëse që detyronin demonstruesit të largoheshin me anë të presionit të ujit, u ndoqën nga shkëmbimet me gurë midis protestuesve nga njëra anë dhe policisë e gardës nga ana tjetër. Të shtënat e asaj demonstrate shkaktuan vrasjen e katër demonstruesve, plagosjen e dhjetrave të tjerëve. U kryen rreth 54 arrestime, qytetarë të cilët vinin nga 11 rrethe të vendit dhe u evidentuan 35 qytetarë të keqtrajtuar.

Katër viktimat e 21 janarit 2011, janë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Ata ishin banues të qytetit të kryeqytetit, Fierit, Gjirokastrës dhe Lezhës. Mosha e tyre mesatare ishte 40.5 vjec. Prej tyre, një ishte i papunë, kurse tre të tjerët ishin të vetëpunësuar në biznes të vogël dhe bujqësi. Asnjë prej tyre nuk kishte patur probleme me policinë dhe kishin një skedinë penale të pastër. Shumica e të arrestuarve dhe të ndaluarve, rreth 44.5% ishin me arsim të mesëm, 37.5% me arsim tetëvjecar dhe 18% me arsim të lartë. Një ndër elementët më të diskutuar është që 21 janari nuk u cilësua si protestë por si demonstratë, ndryshe nga sa cilësoheshin zakonisht protestat e opozitës të asaj kohe. Shifrat demonstrojnë se nga kampi i zgjedhur tek të arrestuarit dhe të ndaluarit, vetëm 27% ishin anëtarë të Partisë Socialiste, pjesa tjetër ishin anëtarë të partive të tjera politike ose qytetarë të angazhuar.















